Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbërritur në Tiranë duke përmbyllur qëndrimin e tij 4 ditor në Holandë ku tha dëshminë e tij në Gjykatën Speciale të Hagës në lidhje me aktakuzat e ngritura ndaj tij për krime lufte në Kosovë. Me një reagim në Facebook, Thaçi shkruan se nesër në orën 20:00 do të flasë për atë që ka dëshmuar në Hagë, ndërsa shtoi se askush nuk mund të rishikojë historinë tonë.

“Sapo kam zbritur në Tiranë, nga kthimi prej Hagës dhe në mbrëmje do të arrij në Kosovë. Nesër në orën 20:00 do të flas për katër ditët e kaluara në Hagë. Ju uroj një fundjavë të bukur. Ju siguroj se askush nuk mund ta rishkruajë historinë tonë”, shkruan Thaçi. Sot ishte dita e fundit e intervistës së Thaçit para prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme në Hagë që zgjati 7 orë. Prokuroria e Posaçme më 24 qershor publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.