Nga Dritan Hila/
Ka nje lloj gazi mes disa segmenteve te shoqërisë virtuale, se Basha e pranoi listën e hapur si rezultat i presionit të tyre. Në fakt prej këndej ka dalë thënia :Të bësh petulla me ujë. As Basha nuk i pranoi listat e hapura se i pëlqenin e aq më pak se i bënë presion njerëz që nuk kanë asnjë peshë publike dhe politike. Vota është komplet gje tjetër nga llogjet e fejsbukut.
E vetmja arsye që opozita pranoi listat e hapura ishte presioni i Ramës dhe vendosmëria e tij për ta ndërmarrë këtë hap.
Pavarësisht vetëbesimit të Ramës që vjen së pari nga komandimi i partisë me te madhe dhe dobësia e opozitës që të bëjë masën kritike të ndërrimit të pushteteve, Ai pa se Këshilli Politik po rrezikonte ta dorëzonte pushtetin në tavolinë, pa një përplasje reale dhe të ishte viktimë e kurthit qe goditi socialistët në 2005-ën.
Ndaj mënyra si mund ta rivinte edhe një herë topin në qendër, ishte arrnimi i marrëveshjes. Dhe për këtë i duheshin listat e hapura që atij në PS nuk i shkaktojnë asnjë problem; dhe fuqizimi i elementëve të dalë nga gardhi i PD dhe që do luftojnë për mbijetesë. Dhe kjo i sigurohej vetëm nëpërmjet listave të hapura dhe koalicioneve njëlistore.
Vendosmëria e Ramës u perceptua nga opozita dhe ajo kishte vetëm dy rrugë: e para të tregohej e ngurtë dhe mos lëshonte pe. Por Rama ka edhe gurin dhe arrën në dorë dhe do ta miratonte ndryshimin duke e nxjerre PD&LSI si frikacakë. Kjo do ishte një goditje e imazhit sypatrembur dhe të sigurtë në fitore që po përpiqet të krijojë opozita.
E dyta, ishte ky hap që ndërmori. Natyrisht që nuk i jep ndonjë epërsi morale pasi e shumta po shkojnë në vathën që ju diktoi Rama. Por të paktën nuk nisen me fërshëllimat e publikut në momentin e hapjes së garës.
A është kjo ndonjë arritje sa i takon demokratizimit të sistemit dhe hapjes së tij. Ne rishtas kemi një sistem zgjedhor rajonal që penalizon iniciativat e reja; administrim zgjedhor primitiv; dhe kufi minimal penalizues. Por gjithsesi ky është një hap që tregon se sistemi ka nisur të dekompozohet dhe ndryshimet cilësore mund të vijnë nëse alternativat e reja do të munden të fusin edhe disa përfaqësues në parlament në mënyrë që të përshpejtojnë degradimin. Fundja siç thone vlonjatët: Nga hiçja, ç’ka dhe Birçja.