Nga Bledi Lumani

Edi Rama bëri një gjest, të cilin do ta kishte bërë kushdo kryeministër i Shqipërisë, që do të ishte në vend të tij, dhe që i takonte ta bënte, si kryeministër i vendit amë: Doli në krah të drejtuesve të shtetit të Kosovës, në një moment të vështirë për këtë të fundit. Vizita e tij dy ditore në Prishtinë, edhe pse mund të duket një shou i mirëmenduar, për t’u përdorur politikisht, ishte një shenjë simbolike, se Shqipëria ndodhet pranë Kosovës, tani që ajo ka më shumë se kurrë nevojë për mbështetje.

Dhe nuk është çështja vetëm tek fati i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, siç duan ta interpretojnë disa, por tek ajo që pas tyre mund ta kenë radhën dhe figura të tjera të rëndësishme politike në Kosovë, çka do të sillte kaos në politikën e Prishtinës, dhe pse jo, edhe trazira.

Ndaj, vizita e tij në Prishtinë, ishte mëse natyrale, edhe pse mesazhet politike kundër Gjykatës Speciale pastaj, mund të lënë vend për interpretime. Por, kush priste fjala vjen, që ai të mbeshteste Gjykatën Speciale dhe hetimet e saj ndaj ish-drejtuesve UÇK, sot drejtues të lartë të politikës në Kosovë, nuk është veçse naiv.

Nuk mund të dalë kryeministri shqiptar e të thotë hetoni Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Ramush Haradinajn etj, nëse kanë bërë krime lufte apo jo. Ajo që nuk kuptohet, është mllefi i opozitës në Tiranë, ndaj një vizite normale të kryeministrit shqiptar në Kosovë, në një moment jo normal për këtë të fundit. Edi Rama po trajtohet sikur është njeriu që kishte vajtur t’iu japë mandatën kosovarëve, si tradhtari i kombit, si njeriu që shkoi të përçajë politikën në Kosovë e marrëzira të tilla, a thua se është pikërisht ai që i merr vendimet politike në Kosovë.

Madje, u lobua fort tek Ramush Haradinaj, që ky i fundit të mos e priste Ramën në takim, për të thënë që vizita e tij në Prishtinë dështoi. Është e vërtetë që Edi Rama në këto vite nuk ka pasur marrëdhënie fort miqësore me të gjithë politikanët kryesorë të Kosovës, sidomos me tre nga kryeministrat e fundit. Por kjo nuk vjen vetëm për faj të tij, por të përzierjes dhe ndarjes së politikës së Tiranës dhe Prishtinës, në dy kampe. Fjala vjen, dihet miqësia dhe marrëdhënia e ngushtë e tij me Hashim Thaçin, ashtu siç dihet edhe lidhja e fortë e Ilir Metës me Ramush Haradinajn, aq sa ky i fundit ishte i gatshëm, siç thuhet, të përfshinte edhe ushtrinë e Kosovës në zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri, vetëm për t’i ardhur në ndihmë mikut të tij president.

Dihet edhe që Rama nuk pati asnjëherë ndonjë simpati të veçantë për ish-kryeministrin Isa Mustafa apo për “luftën e ftohtë” me Albin Kurtin, por kjo ishte e pritshme jo vetëm për karakterin e Ramës dhe Kurtit, por edhe për faktin se ky i fundit, vizitën e parë në Tiranë pasi u zgjodh kryeministër, e pati në zyrën e Bashës dhe gazetarëve familjarë të dyshes Berisha-Meta, të cilët e pompuan atë aq fort si njeriun anti-Rama në trevat shqiptare, sa që Albin Kurtit i lazdroi sedrën dhe filloi të sillej realisht si kundërshtar i Edi Ramës. Por të gjitha këto, nuk mund të jenë shkak për një shpërthim histerik dhe të pakuptimtë ndaj Ramës, se mos ai fiton kapital politik, në një moment që fokusi duhet të jetë diku tjetër.

Aq më tepër pastaj, që këto dy ditë, të vetmit që e kanë sulmuar Ramën pse shkoi në Prishtinë të mbështesë ish-drejtuesit e UÇK, janë opozita në Tiranë dhe serbët në Beograd, me në krye ministrin Vulin. Të parët, thjesht se nuk e durojnë dot protagonizmin e tij, të dytët, të nxitur nga ideja e përhershme që iu është ngulitur në kokë, se mos po krijon “Shqipërinë e Madhe”.