Pas kërkesës drejtuar Kryeministrit Edi Rama në 26 qershor për një transformator energjie elektrike, një grup fermerësh në fshatin Libofshë të Fierit kanë parë se si kjo kërkesë u realizua në kohë rekord dhe tashmë kanë furnizim me energji elektrike në tokat e tyre. “Një fjalë e dhënë, një punë e bërë. Bëjmë çfarë themi dhe themi çfarë bëjmë”, tha Kryeministri Edi Rama, ndërsa shpërndau pamjet nga rrjeti i ri prej 1 km që çon energjinë elektrike në tokat e fermerëve.

Në 26 qershor, gjatë vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Libofshë të Fierit, fermeri Bledar Meço i kërkoi atij një transformator. “Do t’jua sjell unë deri në datën 15 korrik, po nuk e sollën do më çoni mesazh që nuk erdhi se nuk ma kanë zbatuar porosinë”, u tha Rama fermerëve. Ndërkohë sot që flasim në Libofshë është instaluar rrjeti i ri elektrik prej 1 km dhe janë vendosur 18 shtylla elektrike, 1 kabinë e re dhe një transformator i ri.

“Një premtim i mbajtur në kohë rekord, faleminderit. Nuk do të ndihmojë një ose dy fermerë, sepse jemi goxha fermerë që punojmë janë rreth 10 kontraktorë që kanë shpëtuar nga një barrë e madhe. Më parë vije pompën e vadisje. Kishte kosto, pasi nafta ka kosto, plus koha e humbur që na ka shpëtuar. Komoditeti është gjë e madhe. Tani kemi më pak kosto, më pak shpenzime, më pak kohë të humbur. Falënderim i veçantë për Kryeministrin. Në kohë rekord për 6-7 orë u ndez llamba. Nuk e prisja atë reagim, por momenti që ai më tha do bëhet dhe më tha për datën 15 korrik, dhe në fakt u bë për 2 ditë”, tha fermeri Bledar Meço për ERTV.

Aio tha se “kjo është nxitje dhe mbështetje e drejtpërdrejtë dhe ne marrim kurajo që kur shteti të mbështet, të punosh e të ecësh përpara”. “Nuk e besoja kur e tha kryeministri, por kur brenda 1 ore u bënë lëvizjet e para, erdhën shtyllat, atëherë u bindëm dhe ne”, tha një tjetër fermer. Tashmë fermerët e Libofshës do të kenë furnizim më cilësor me energji elektrike.