Zlatan Ibrahimovic pretendoi se Milani do ta kishte fituar titullin e Serisë A po t’i ishte bashkuar ai skuadrës në fillim të sezonit e jo gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi forma e tyre e mirë vazhdoi të martën me fitoren 4:2 kundër Juventusit.
Sulmuesi suedez u kthye në Milan – ku më herët gjatë karrierës, në vitin 2011, e kishte fituar titullin e kampionit – si transferim i lirë në janar, pasi u largua nga liga amerikane MLS dhe klubi LA Galaxy, transmeton Gazeta Express.
38-vjeçari po arrin sërish të ndikojë në kampionatin elitar të futbollit në Itali dhe të martën arriti ta shënojë golin e tij personal të gjashtë kur shënoi nga pika e penalltisë në ndeshjen kundër Juventusit. Pas këtij goli që e nisi përmbysjen e rezultatit, Ibrahimovic asistoi golin e radhës dhe Milan arriti t’i shënojë tri gola brenda pesë minuta për të kaluar në epërsi, ndërsa Ante Rebic e shënoi golin e qetësisë për 4:2.
Me këtë fitore, Milani është ngritur në pozitën e pestë në tabelë dhe ka arritur fitore në ndeshjet radhazi kundër Lazios dhe Juventusit, që po garojnë për titull të Serisë A. Ibrahimovic beson se edhe Milani do të kishte qenë në këtë garë, po t’i ishte bashkuar ai skuadrës më herët.
“Nëse do të kisha qenë këtu nga fillimi i sezonit, ne do ta kishim fituar titullin”, ka thënë Ibrahimovic për DAZN, pas ndeshjes. “Unë jam president, trajnerit dhe lojtar – por ata më paguajnë vetëm si futbollist”.