Sulmuesi i Paris Saint-Germainit, Mauro Icardi, thotë se është e mrekullueshme të luhet me një bashkëlojtar të përsosur si braziliani Neymar, ndërsa shtoi se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kylian Mbappen. Përkushtimi i Neymarit në Paris Saint-Germain është vënë disa herë në pikëpyetje, përderisa sjellja e tij, brenda dhe jashtë fushës së blertë, ka qenë shpeshherë cak i kritikave, pasi braziliani është fotografuar disa herë duke e shijuar jetën e natës në Paris. Por, Icardi, i cili i është bashkuar në formë permanente PSG-së nga Interi këtë verë pas huazimit për sezonin 2019/20, thotë se 28-vjeçari portretizohet gabimisht në media.
“Njerëzit mund ta shohin ndryshe nga jashtë, por realiteti është plotësisht i ndryshëm. Ne të gjithë e dimë shumë mirë se çfarë futbollisti është Neymari. Por, kur ta njohësh atë si njeri, kalon edhe më mirë me të pasi që ai është shumë më ndryshe nga imazhi i tij në media”, ka thënë Icardi.
“Ai është një bashkëlojtar që nuk heziton të sigurohet që të tjerët po ndihen mirë. Ky lloj i mendësisë na duhet. Lojtarët e mëdhenj gjithmonë japim shembuj të parët. Ai është një djalosh gjithmonë i lumtur dhe kalon mirë me të gjithë”.
“Është e rëndësishme të jesh vetja sepse, në fund të fundit, ne jemi sikur një familje e madhe dhe e kalojmë çdo ditë së bashku. Humori i tij i mirë na bën të ndihemi mirë çdo ditë”.
“Gjithçka që thash për Neymarin vlen edhe për Mbappen. Ai është një djalosh ende i ri, por tashmë ka arritur gjëra të mëdha. Ai është tejet i pjekur për moshën e tij. Edhe sjellja e tij kontribuon në atmosferën e mirë që e kemi në grup”.