Tërmeti i nëntorit tregoi edhe njëherë se sa të rrezikshme ishin depozitat e ujit në tarracat e pallateve.
Ndaj, me dyfishimin e furnizimit me uje në Bovillë dhe rritjen e kapaciteve te filtrimit që e çojne në 24 orë ujë të pijshëm në ditë për 62 për qind të kryeqytetit, Bashkia e Tiranës do të nisë një aksion të gjerë për heqjen e këtyre depozitave nga tarracat e pallateve, për të garantuar sigurinë e jetës dhe shëndetit e banorëve që jetojnë në këto objekte.
Nga ceremonia e përurimit të impiantit të ri në Bovillë ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Rama, kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky aksion do të nisë pa humbur kohë në bashkëpunim dhe me administratorët e pallateve. “Dua të njoftoj të gjithë administratorët e pallateve që do të fillojmë të qërojmë pallat më pallat për t’u siguruar që fillon heqja e depozitave për dy arsye: Së pari sepse kemi ujë 24 orë në këtë pjesë të madhe të Tiranës dhe arsyeja tjetër sepse pas tërmetit mësuam që gjithë këto pesha që i mbingarkohen pallateve tashmë të amortizuara nga koha apo improvizimet që kanë pasur ndër vite, meritojnë të lehtësohen. Dhe sot kemi kaluar disa vendime të rëndësishme për pallatet e Kombinatit dhe besoj se edhe për ata që prej tërmetit kanë pasur merak depozitat, ardhja e Tiranës në një pjesë të madh të saj me 24 orë ujë është një lehtësim dhe për depozitat e tarracave në Tiranë. Ne do të fillojmë një punë me të gjithë administratorët e pallateve që pasi t’ju provojmë që në rubinetet ka ujë 24 orë ose të paktën në hyrje të pallatit ne të adresojmë çështjen e depozitave apo dhe çështjen e pompave”, deklaroi Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se qeveria “Rama” dhe kjo mazhorancë I kanë si durimin, virtytin dhe shpresën për ta çuar Tiranën plotësisht në 24 orë ujë në ditë. “Durim virtyt dhe shpresë. Ne I kemi të treja këto me qeverinë e Edi Ramës dhe gjithë skuadrën tonë sinë ministri ashtu dhe bashki dhe ndaj me durim virtyt dhe me shpresë ne do ta çojmë Tiranën me 24 orë ujë. Sot nuk kemi ngritur një impiant, sot kemi ngritur një monument që ndoshta s’do të shpallet kurrë monument kulture si ato të romakëve por një monument në civilizim, në emancipim, në higjienë dhe në modernizimin e qytetit tonë”, theksoi Veliaj.