Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe ai i Ligjeve kanë shtyrë për në shtator shqyrtimin e projektligjit të amnistisë fiskale. Milva Ekonomi, kryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, tregoi në “A2 Business Week” arsyet e kësaj shtyrjeje, që, sipas saj, nuk erdhi për shkak të një kërkese nga Bashkimi Evropian.
“Bashkimi Evropian, kur ne po diskutonim projektligjin në parim, i ka dërguar një letër Ministrisë së Financave me disa çështje që ngrinte.
Ne ndërkohë filluam dëgjesat, ku ka pasur disa të ftuar, shumë shoqata, kontabilistë, Fakultet Ekonomie dhe Juridik. Projektligji kërkonte që përveç miratimit në parim, sidomos për Shoqatën e Bankave që ishte ekzekutorja finale e projektligjit, duhej të ishte e qartë skema e transaksionit të deklarimit të parave.
E dyta, prokuroria solli një letër që kërkonte sqarime të mëtejshme për faljen penale. Këto ishin arsyet që kërkuam që amnistia të merrte kohën e vet për analizën nen për nen. Nuk ishte një kërkesë specifike e Bashkimit Europian. Në shtator do të rikthehet”, shpjegoi Ekonomi.