Federata Gjermane e Futbollit ishte e para që i dha “jetë” futbollit pas ndërprerjes si pasojë e pandemisë dhe po e para që ka vendosur që pas mbylljes së sezonit të përcaktojë datat e rifillimit… (Franca e bëri pasi e anuloi sezonin aktual).
Sezoni i ri do të nisë me Kupën e Gjermanisë, më 11 shtator, ndërkohë që do të ketë sfida të këtij kompeticioni deri me 14 shtator. Java e parë e Bundesligës luhet më 18-21 shtator dhe ajo që bie në sy është periudha e shkurtër e pushimit të gjysmës së sezonit.
Vetëm 7 ditë, pra 24 dhjetor 2020 deri më 1 janar 2021. Më pas, rikthim në fushë për të rifilluar kampionatin që do të mbyllet me 22 maj, pasi qershorin e ardhshëm do të zhvillohet EURO 2021. Të njëjtat data edhe për Bundesliga 2, me përjashtim të datës së përfundimit, 23 maj. DFL ka vendosur edhe për finalen e Superkupës, që zhvillohet më 30 shtator.