Ministrja e Arsimit, Besa Shahini gjatë interpelancës së thirrur në Kuvend u shpreh se zgjedhjet për universitete do të zhvillohen më 30 korrik. Sipas Shahinit Ministria e Arsimit në këtë rast ka rol ceremonial dhe universitetet janë të lira dhe gati për të organizuar vetë zgjedhjet. Pas kësaj, ministrja e Arsimit, me anë të një postimi në rrjete social,e ka përmendur edhe herë fjalën e saj në interperlancë, ku sqaroi se roli i MASR për zgjedhjet e autoriteteve dhe organeve drejtuese në universitete është minimal. “Shteti ka për detyrë të sigurojë autonominë e universiteteve, rrjedhimisht të respektojë faktin që këto institucione do të zhvillojnë vetë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shton ministrja më tej.
Duke shtuar se: “Roli gati ceremonial i caktimit të datës së zgjedhjeve i është deleguar Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë nga vetë IAL-të përmes rregulloreve të zgjedhjeve. Edhe caktimi i datës 30 korrik është kërkesë e vetë IAL-ve. Në fund të qershorit, rektorët e universiteteve publike më shprehën pamundësinë për të vijuar normalisht punën në IAL, pasi mandatet e tyre u kishin skaduar. Këtë na e konfirmuan edhe studentët e shumtë që nuk merrnin shërbimet e duhura për shkak të skadimit të mandateve të udhëheqësve.
Duke marrë parasysh që deri më 7 gusht vijon procesi mësimor dhe ai i provimeve, si dhe është liruar transporti publik, rektorët më kërkuan të caktoj datën 30 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve”. Më tej në postim, ministrja sulmon PD-në, duke shkruar se: Ka kaluar faza kur PD lejonte hapjen e universiteteve “kioska” që jepnin diploma fallco dhe prodhonin doktorantë për 6 muaj. Këto janë mbyllur nga qeverisja e PS-së dhe janë vendosur standarde në përfitim të gradave shkencore.
Postimi i plotë: Në interpelancë parlamentare ku sqarova edhe një herë se roli i MASR për zgjedhjet e autoriteteve dhe organeve drejtuese në universitete është minimal. Shteti ka për detyrë të sigurojë autonominë e universiteteve, rrjedhimisht të respektojë faktin që këto institucione do të zhvillojnë vetë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Roli gati ceremonial i caktimit të datës së zgjedhjeve i është deleguar Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë nga vetë IAL-të përmes rregulloreve të zgjedhjeve. Edhe caktimi i datës 30 korrik është kërkesë e vetë IAL-ve.
Në fund të qershorit, rektorët e universiteteve publike më shprehën pamundësinë për të vijuar normalisht punën në IAL, pasi mandatet e tyre u kishin skaduar. Këtë na e konfirmuan edhe studentët e shumtë që nuk merrnin shërbimet e duhura për shkak të skadimit të mandateve të udhëheqësve. Duke marrë parasysh që deri më 7 gusht vijon procesi mësimor dhe ai i provimeve, si dhe është liruar transporti publik, rektorët më kërkuan të caktoj datën 30 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve.
Në tashmë kemi nisur një punë kolosale në kuadër të “Paktit për Universitetin” në funksion të përmirësimit të cilësisë së arsimit të lartë dhe jetës studentore, por e gjithë kjo punë nuk do të japë rezultatet e duhura nëse IAL-të nuk reflektojnë të njëjtin vullnet për shërbime të mira ndaj studentëve, dhe nëse në krye të IAL-ve nuk kemi njerëz me integritet të lartë akademik.
E kemi tejkaluar tashmë fazën kur PD lejonte hapjen e universiteteve “kioska” që jepnin diploma fallco dhe prodhonin doktorantë për 6 muaj. Këto janë mbyllur nga qeverisja e PS-së dhe janë vendosur standarde në përfitim të gradave shkencore. Por, ka ende shumë punë për t’u bërë. Prandaj, meqë jemi edhe një javë para zgjedhjeve në universitete, u bëj thirrje të gjithë zgjedhësve – pedagogëve dhe studentëve – që të votojnë kandidatët më të mirë, në mënyrë që IAL-të të drejtohen nga drejtues me integritet, të zellshëm dhe të kenë vizion të udhëheqin me institucione që ende nuk janë reformuar plotësisht.