Strategjia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së thotë se, “investimi në gra ndihmon në arritjen e paqes dhe prosperitetit më të madh për kombet”. Ky ishte mesazhi që përcolli sot ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tirën, Yuri Kim në sesionin e tretë të Akademisë së Lidershipit për gratë deputete.
Duke iu drejtuar grave deputete Kim tha se, “është pikërisht ky mesazhi që dua t’ju sjell sot. Jo vetëm për t’ju inkurajuar të gjitha juve në karrierën tuaj, por për t’ju ndihmuar në krijimin e një të ardhme më të mirë për Shqipërinë”. “Shpresoj që këto aftësi të reja do t’ju ndihmojnë të ngrini zërin tuaj, të vazhdoni të punoni për atë që besoni, dhe t’ju ndihmojnë të vazhdoni të luani rolin e rëndësishëm demokratik të mbajtjes së pushtetit ekzekutiv në kontroll”, tha Ambasadorja Yuri Kim. Akademia e Lidershipit për gratë deputete, mbështetet nga Ambasada dhe zbatohet nga NDI Albania – National Democratic Institute dhe Rrjeti Barazi Në Vendimmarrje.