Nga Skënder Minxhozi/

Opozita dhe Presidenca, si dy pjesë të të njëjtit entitet politik, vendosën të ulin nivelin e përfaqësimit sot në Këshillin Politik, të vetmen tryezë dialogu që po diskuton të ardhmen e zgjedhjeve shqiptare. Lulzim Basha gjeti shpëtim tek zyra e Avdulla Hotit në Prishtinë, për t’i ikur një përballjeje me kryeministrin, kurse Presidenti preferoi ta kalojë “me procedurë heshtjeje” ftesën e Ramës për të ardhur në takim. Ata që deri dje bërtisnin se gjithçka duhet vendosur në formatin në fjalë, e humbën me qëllim shansin për të shpalosur idetë dhe tezat e tyre në prani të kundërshtarit të tyre kryesor.

Kjo rrethanë ja uli premisat për një zgjidhje definitive tryezës së sotme, duke afirmuar edhe një herë se frika e Bashës nga takimi me Ramën vijon të mbetet në kuota të larta dhe të pakthyeshme. Porsi antitrupat në organizmin e një të sëmuri të shëruar nga Covidi.

E lartë mbetet gjithashtu edhe pasiguria rreth asaj që mund të rezutojë si fjala e fundit për reformën zgjedhore. Thënë ndryshe, të gjitha opsionet mbeten të hapura, pasi duket se Rama gjendet tani në një nga ato momentet jo të rralla të 20 viteve të fundit, kur kap një ide “nga brirët” dhe e bën atë tezë kombëtare për veten dhe partinë e tij. Zakonisht duke fituar në fund të rrugës!

S’ka asnjë sekret se PS dhe kreu i saj kanë qenë po aq të ftohtë sa opozita, në lidhje me listat e hapura, vetëm pak javë më parë. Nuk është gjithashtu një sekret se Rama kërkon ta paketojë idenë e hapjes së listave të kandidatëve, së bashku me një format koalicionesh që eviton trenin e partive dhe preferon listat unitare. Një model që e kanë shumë demokraci moderne. Kjo është negociatë e hapur dhe Lulzim Basha nuk i fshihet dot kësaj negociate. Me ose pa 5 qershorin në mes. Nëse nuk do që reforma të votohet nga socialistët dhe opozita parlamentare.

Hapja e listave është provuar tashmë të jetë problemi i vetëm real i reformës zgjedhore. Ajo është një ide, përkrahja ndaj të cilës është e prekshme në opinionin publik. S’mund të jesh sot për lista të shëmtuara kandidatësh, të emëruar qysh pa filluar ende fushata elektorale. Pellgu i qelbur i elitës politike shqiptare fillon të thyhet kur zgjedhjet të kthehen në garë votash, emrash dhe reputacionesh, e jo duke mbajtur në këmbë listat e mbyllura klienteliste të kryetarëve.

Basha vendosi ta “hollojë rakinë”, kur dërgoi Gazmend Bardhin në tryezën ku po vendost fati i zgjedhjeve. Një kryetar që merr ende izëm tek Berisha, ka futur tashmë edhe një asistent tjetër si Bardhi, mes vetes dhe palës kundërshtare. Pa harruar Ilir Metën, që e ushqen ditë e natë me obstruksion nga jashtë procesin.

Ky telefon i prishur nuk e ndihmon opozitën as të tregojë vendosmëri dhe imazh solid, e as të zbulojë e të mbrojë kartat e saj. Të cilat sot përmblidhen thjesht në kapjen pas tekstit të 5 qershorit, që vetë Basha nuk denjon ta quajë marrëveshje, por dakordësi. Me shpresën se ambasadorët do të mërziten e do të bëjnë presion për t’i dhënë fund debateve dhe sherrit për zgjedhjet. Të shohim nëse do të ndodhë vërtet kjo, apo diçka tjetër. Këto dhjetë ditë vendoset shumëçka, në lidhje me fatin e fituesit dhe humbësit të zgjedhjeve të ardhshme.