Sir Alex Ferguson thotë se e ka “falur” Jurgen Klopp për zgjimin nga gjumi që i bëri në orën 03:30 të mëngjesit, pas triumfit të Liverpool-it si kampion, muajin e kaluar. Pasi i udhëhoqi “Reds” drejt titullit të parë të Premier League në 30 vite, Klopp u kurorëzua trajneri i vitit nga Shoqata e Menaxherëve të Ligës (LMA).

Ferguson, pesë herë fitues i këtij çmimi, e uroi gjermanin për triumfin e tij, ndërsa zbuloi një telefonatë të natës së vonë me Klopp, pas kurorëzimit të “Reds”. “Jurgen është fantastik. Ne flasim për Leeds, që agjëroi 16 vite në kampionat, por Liverpool kishte 30 vite pa e fituar Premier League. E bëri këtë vit, çka është e jashtëzakonshme, – tha ish-trajneri i Manchester United për “Sky Sports News”.

– I thashë Klopp-it se e kishte merituar plotësisht atë, për shkak se niveli i performancës së Liverpool-it ishte i jashtëzakonshëm. Personaliteti i trajnerit shkon me meritat e të gjithë klubit. Ishte një paraqitje e mrekullueshme sezonale. Unë do ta fal Klopp, që më zgjoi në orën 03.30 të mëngjesit për të më thënë që e kishte fituar titullin. Ai e ka merituar plotësisht”.