Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, thotë se ngritja e trofeut të Premierligës në Anfield të mërkurën do të jetë momenti më i veçantë në jetët e lojtarëve dhe stafit të klubit anglez. Kampioni i ri i Premierligës, Liverpooli, do ta ngre trofeun pas ndeshjes të së mërkurës kundër Chelseat në Anfield, pasi e kishte siguruar matematikisht titullin, të parin në 30 vjet, shtatë xhiro para fundi.
Klopp insiston se është tejet e rëndësishme që lojtarët e tij të jenë në pozitë për ta shijuar atë moment dhe thotë se ngritja e trofeut për Liverpoolit është gjëja më e veçantë që mund të imagjinohet.
“Unë veçse u kam thënë djemve se ne duhet t’i përgatisim dy gjëra këtë javë. Duhet të përgatitemi për ndeshjen kundër Chelseat, që do ta bëjmë në stërvitje, dhe do të duhet të përgatitemi që ta ndiejmë gjënë e duhur në momentin kur ndodh”, ka thënë Klopp.
“Ne do ta shijojmë të mërkurën. Në këtë moment, duhet të ndalemi për një sekondë, ta shikojmë trofeun, të jemi të lumtur për të, ta shijojmë bashkë me tifozët tanë kudo në botë, në zemër dhe në mendje, dhe ta bëjmë atë momentin më të veçantë të jetëve tona deri tani”.
“Të jesh këtu kampion është gjëja më e veçantë që mund ta imagjinoni. Ne duhet ta bëjmë atë një moment të veçantë brenda vetes dhe ta mbajmë brenda vetes përgjithmonë”.