Komisioni i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot rishikimin e buxhetit të vitit 2020. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi se tkurrja e sektorëve privat apo investimeve private të pritshme për shkak të pandemisë së COVID-19, do të mund të kompensohet nga një akselerim i fortë i investimeve publike, përfshirë këtu, jo vetëm investimet në infrastrukturë, të cilat janë në fokus të qeverisë, por njëkohësisht edhe të disa investimeve që me këtë rishikim buxheti bëhen më të dukshme dhe më të prekshme.

Një vend të rëndësishëm, tha ministrja, zë pjesa e mbështetjes së programit të rindërtimit, si një nevojë e domosdoshme për të akomoduar dëmet që tërmeti i nëntorit ka shkaktuar, jo vetëm për individët, por edhe ekonominë në përgjithësi. Denaj informoi se shpenzimet buxhetore parashikohet të rriten me 30.16 miliardë lekë me qëllim injektimin me financim të sektorëve prioritarë të ekonomisë përmes investimeve publike.

Referuar alokimeve më të rëndësishme, rishikimi i buxhetit tha Denaj, përcakton financimin shtesë në masën 900 milionë lekë të nevojës së njësive vendore për bonusin e qirasë sociale në kuadër të tërmetit deri në fund të vitit 2020. Në buxhetin e rishikuar përcaktohet alokimi i fondit shtesë prej 400 milionë lekësh për skemën e fermerëve, bazuar në tejkalimin e pritshmërive të MBZHR-së për aplikimet e vitit 2020, si dhe financimin në masën 400 milionë lekë të programit të ri të anglishtes dhe IT-së për ciklin e ulët.

Rishikimi i buxhetit përcakton edhe alokimin e një fondi prej 200 milionë lekësh, si parakusht për përthithjen e mbështetjes buxhetore të BE-së në kuadër të projekteve IPA, si dhe rritjen me 200 milionë lekë të fondit të planifikuar për skemën e papunësisë, si rrjedhojë e parashikimeve dhe pritshmërive deri në fund të vitit 2020. Po ashtu, sigurimin e organikës së mjaftueshme për strukturën e re të OFL-së prej 87 efektivësh, me një kosto prej 40 milionë lekësh, si dhe rritjen e strukturës organike të Policisë së Shtetit me 500 efektivë të rinj, pa kosto shtesë në buxhet.