Anëtarët e të gjitha partive politike që janë pjesë e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në parim kanë votuar pro Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës. Ata kërkuar nga akterët përgjegjës që ky projektligj të procedohet sa më shpejt në Kuvendin e Kosovës për lexim të parë. Kryetarja e këtij komisionit, Albena Reshitaj ka shprehur gatishmërinë e të gjithëve për të kontribuar që ky projektligj të jetë sa më i plotë.
“Konsideroj që Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e përkrah në parim projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës. Si dhe kërkon nga të gjithë akterët përgjegjës që sa më shpejt ta sjellim në Kuvend në lexim të parë dhe pastaj ta japim kontributin tonë për të gjitha këto nevoja për plotësim ndryshim të cilat ve u cekën”, theksoi ai. Anëtari i këtij komisioni nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili derisa i ka dhënë komentet e tij për këtë projektligjit tha se në parim është pro këtij projektligji, por kërkoi që ky ligj mos të bëhet sa për sy e faqe.
Ai tha se ky ligj duhet të jetë edhe në shërbim të sistemit dhe stafit shëndetësor. “Nëse është duke ndodhur një zbrazësi cilat janë hapa që i merr qeveria për të plotësuar atë zbrazësi sepse në të kundërtën ne po sillemi në formë neutrale që zgjidhja do vije vetvetiu dhe ajo nuk vjen vetvetiu… Mbështetjen për këtë ligj e kemi edhe si grup parlamentar edhe si deputet por mos ta bëjmë sa për sy e faqe me thënë se po i japim një autorizim ministrit me ndal një lagje atje apo këtu, atë po se po, por të paktën t’i japim edhe sistemit shëndetësor një mbështetje që edhe ata të dalin përtej asaj që kanë sot dhe përtej autorizimeve që i kanë sot”, tha ai.
Ndonëse u shprehën në parim për këtë projektligj për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID19, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri deklaroi se ky ligj nuk është i përkryer dhe ka nevojë për ndryshime. “I shohim edhe masat të cilat janë marrë mbrëmë nga qeveria vërehet që edhe aty kemi shkelje të Kushtetutës, për të mos na u përsëritur shkelja e Kushtetutës është e domosdoshme që të krijojmë në bazë ligjore që nuk do përsëriten veprime të tilla. Kjo bazë ligjore rregullohet me këtë ligj i cili na ka ardhur në shqyrtim. A është i përkryer ky ligj, jo nuk është i përkryer. A ka nevojë ky projektligj për ndryshime, ka nevojë për përmirësime dhe është mundësia jonë që në momentin që vjen dhe trajtohet përsëri në komision atëherë t’i shqyrtojmë ato më të mirat dhe t’i propozojmë dhe t’i amandamentojmë në këtë ligj”, tha ai.
Kurse, nënkryetari i këtij komisioni nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli kërkoi që në seancën e radhës të procedohet ky projektligj, pasi siç vlerësoi jemi të vonuar në këtë drejtim. “Përkrahja e të gjitha grupeve parlamentare tregon një pjekuri mendoj që duhet të votojnë dhe ta dërgojmë këtë ligj në lexim të parë. Ndërsa, ndërmjet dy leximeve na pret një punë e madhe dhe plotësimit dhe ndryshimit dhe amandamentime të ndryshime që mund t’i bëjmë dhe të shërbejnë që ky ligj të jetë më komplementar, më i plotësuar… Jemi vonuar shumë, qytetari, qeveria dhe ministria e pret këtë ligj për punën e tyre të mëtutjeshme dhe nëse ky ligj shërben që kurba e pandemisë të bie atëherë do e kishim bërë një punë shumë të madhe”, theksoi ai.
Bashkëpartiaku i tij, Ekrem Hyseni derisa u shpreh pro këtij projektligji me disa ndryshime kërkoi që të bëhet një stimulim i veçantë për personelin shëndetësor që merren direkt me trajtimin e pacientëve që janë të infektuar me COVID19. “Stimulimi që bëhet për personelin që merret drejtpërdrejtë me pandeminë. Unë kisha dashur që nga ky komision të bëhet një propozim, me pas dallim në mes të profesionistëve shëndetësorë që përballen me pandeminë. I kisha veçuar mjekët e kujdesit intensive, infektologët, pulmologët, Klinika e Neurologjisë dhe stafit tjetër mbështetës që të stimulohen në mënyrë të ndarë prej të tjerëve që merren direkt me të sëmurët me virus dhe të stimulohen ndryshe”, theksoi Hyseni. Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale kanë kërkuar që të vijë në raportim për gjendjen me COVID19 ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi.