Një tjetër gjyqtar i Apelit, shkarkohet nga “Vettingu”. I radhës është Hysni Demiraj, kryetar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, i cili nuk arriti të bindte trupën gjykuese të komisionerëve për pasuritë e tij, për vendimet që ka dhënë gjatë punës si gjyqtar, pavarësisht se ai i kundërshtoi të gjitha gjetjet që kishte përgatitur Trupa Gjykuese e Komisionereve. Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-kreut të Gjykatës së Apelit Tiranë, Hysni Demiraj.

Në njoftimin e KPA-së thuhet se trupi gjykues i Kolegjit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relatore dhe Albana Shtylla, Luan Daci e Sokol Çomo anëtarë, shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin e kryer nga Demiraj dhe e rrëzoi atë unanimisht. Ish-kreu i Apelit të Tiranës, Hysni Demiraj u gjet nga KPK në dy raste të konfliktit të interesit. Demiraj u penalizua për mos heqjen dorë nga shqyrtimi i një çështje me palë përfaqësues të kompanisë ku ai kishte blerë shtëpi dhe të një çështje tjetër ndaj njërit prej gardistëve të akuzuar për vrasjet e 21 janarit, me të cilin rezultoi të kishte pasur njohje.

KPK arsyeton se Demiraj ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë dhe se rezulton i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale, si edhe nga vlerësimi tërësor. Në vendimin e Komisionit citohet se ai kishte cënuar paanësinë dhe besimin e publikut te drejtësia. Hysni Demiraj e ka filluar karrierën në fillim të viteve ’90 si hetues dhe më pas si prokuror në Tropojë. Në mesin e viteve ’90 ëshë emëruar gjyqtar në Gjirokastër, detyrë të cilën e ka kryer deri në vitin 2009, kur u transferua në Gjykatën e Apelit të Tiranës Kujtojmë se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi më 15 shkurt të 2019-ës, Hysni Demirajn, pasi nuk justifikoi pasurinë.

Njoftimi i vendimit: Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Luan Daci, Sokol Çomo, anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JR) nr.22/2019, datë 02.05.2019, që lidhet me ankimin e subjektit të rivlerësimit Hysni Demiraj, kundër vendimit nr. 108, datë 15.02.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “a” e ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:

1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 108, datë 15.02.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Hysni Demiraj. 2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm. U shpall sot, në Tiranë, më datë 13.07.2020.