Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti shpreson se gjatë javës së ardhshme, do të kalojë buxheti në lexim të dytë.

Shefi i ekzekutivit theksoi se fondi për rimëkëmbje ekonomike është pjesë e buxhetit prej 385 milionë euro, ku sipas tij gjatë fillimit të finalizohet një gjë e tillë.

“Ligji i buxhetit, rishikimi I buxhetit ka kaluar në lexim të parë, ka kaluar me sa e di edhe në komisione janë shqyrtuar amendamentet e ndryshme. Unë pres që të hënën ose të martën të finalizohet dhe besoj që gjatë javës së ardhshme duhet të hyjë në seancë për lexim të dytë dhe të përmbyllet. Krahas kësaj e kemi dërguar në kuvend edhe ligjin për rimëkëmbje ekonomike, ku përfshihet ndryshimi i shtatë-tetë ligjeve të ndryshme në nene të caktuara, për të bërë të mundurën zbatimin për pako të rimëkëmbjes ekonomike”, ka theksuar Hoti.

Kryeministri Hoti pas takimit të komitetit për vlerësimin e situatës me koronavirus, theksoi se Instituti ka filluar të punojë për udhëzimin e Ministrisë së Arsimit për përgatitjet e nevojshme që duhet të të bëjë nga shtatori e tutje, kur duhet të fillojë viti i ri shkollor. Gastronomët kosovarë kanë paralajmëruar protestë para objektit të Qeverisë gjatë javës së ardhshme. Për këtë çështje, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka theksuar se do të takohet me pronarët e lokaleve për të parë një zgjidhje të mundshme të kësaj çështjeje. /Kosova Press/