Nga Spartak Ngjela /
Listat e hapura, moment progresiv për qarkullimin e elitave.
l.
Kthimi i Ramës në kërkesën për listat e hapura është moment progresiv, në funksion të qarkullimit të elitave në Shqipëri.
Ligji elektoral i vitit 2008 ka qenë 12 vjet në staniacion me ecurinë e demokracisë në Shqipëri, në funksion të ardhjes së njerëzve të ditur në qeverisje.
Na duhet të theksojmë se kriza kryesore e shtetit shqiptar, është krizë në intelekt. Natyrisht, kjo nuk është një sëmundje e ardhur tani, kjo është sëmundje epidemike, e cila ka filluar në vitin 1945: si një luftë midis dijes dhe antidijes në drejtimin e shtetit shqiptar. Kjo luftë antidije, në thelb, është luftë antiintelektualiste, dhe kjo është arsyeja që, që nga historia e Enver Hoxhës në luftën e tij antiintelektualizëm në Shqipëri, ajo erdhi dhe u bë moto në të gjitha aspektet e jetës shoqërore.
Jo të gjitha tiranitë dhe diktaturat kanë qenë kaq të ashpra kundër dijes, sa regjimet që kanë ardhur në Shqipëri që nga viti 1945 e deri në vitin 2020, të cilat, nuk janë gjë tjetër, veçse mllefe të sëmura kundër intelektit të lartë në drejtimin e Shqipërisë.
Në rast se do të kërkonim shkakun kryesor të varfërisë dhe gjendjes gjithmonë në krizë të shoqërisë shqiptare brenda vendit, kjo është pamundësia absolute e intelektualizmit që të drejtojë shtetin në fillim, dhe aspektet e tjera të jetës shoqërore më pas.
ll.
E bëmë këtë ekspoze të primitivizmit të jetës politike në Shqipëri, për të vlerësuar parimin e listave të hapura brenda sistemit zgjedhor në Shqipëri, sepse kjo është hera e parë që nga viti 1945 që politika sunduese në Shqipëri pranoi popullin si arbitër dhe zgjedhës njëherësh për nxjerrjen në pah të individëve që do të merren me qeverisjen e vendit. Në shkrimet e mia, unë kam theksuar se, as Basha, dhe as Rama, nuk i pranojnë listat e hapura, sepse me këtë sistem elektoral populli nuk i zgjedh deputetë. Fakti që Rama u tërhoq dhe i pranoi listat e hapura, kurse Basha vazhdon t’i bjerë fyellit të antiintelektualizmit, nuk kemi se si të mos pranojmë që Rama e ka marrë përsipër faktin e konkurrencës së tij me të gjithë kundërshtarët që ka brenda PS-së. Nëse Basha do të vazhdojë me nonsens-et që tha sot se: listat e hapura prishin marrëveshjen e 5 qershorit, ditë për ditë do t’u japë të kuptojnë kundërshtarëve të tij brenda partisë së vet, se listat e hapura rrëzojnë Bashën.
Duhet të kemi parasysh një gjë, që pranimi i listave të hapura si proces pozitiv, në funksion të votës së lirë dhe të respektimit të frymës së popullit, është hapi i parë drejt arritjes së madhe të votimit të lirë në Shqipëri, dhe të zgjedhjes së përfaqësuesve të denjë në drejtimin e shtetit. Pas kësaj, politika shqiptare që është si reprezentante në parlamentin shqiptar duhet të vazhdojë procesin drejt njohjes së personalitetit të popullit dhe koshiencës së tij, në mënyrë që, në zgjedhjet e ardhshme, partitë e mëdha t’i drejtohen botës akademike, brenda ngjyrave të tyre partiake. Pikërisht këta duhet të marrin në dorë drejtimin me kompetencë dhe me arsye shkencore të shtetit shqiptar.
lll.
Listat e hapura, tashmë të vendosura si parim elektoral: a do t’i shporrin bakalarët e politikës shqiptare: injorantë, të korruptuar, llafazanë dhe njerëz pa intelekt? Natyrisht, ky është hapi i parë: në këto momente kryetari i Partisë Socialiste e bëri hapin e tij, por a do ta vazhdojë kërkesën e frymës së popullit për implementimin në shtetin shqiptar të përfaqësuesve të ditur me dije shkencore dhe vizion perëndimor? Kjo pritet për t’u parë, por në rast se e bën, dhe do ta bëjë, për ta kuptuar thellë – thellë, ai nuk e ka kundër interesit të tij. Megjithatë, le ta shohim.
Po kryetari i Partisë Demokratike që drejtohet nga Berisha, a do ta marrë përsipër përballjen reale me frymën e popullit, apo do të mbetet viktimë e çadrës së Sali Berishës?
Duhet të pranojmë një gjë: të dy kryetarët e partive të mëdha, deri tani, në çadrat e tyre kanë qenë, atje kanë thërritur mediokritetin dhe kanë abuzuar me mirëbesimin e popullit. Reforma në Drejtësi dhe reforma antikorrupsion, a janë të lidhura këto me frymën e re të parimit të ri elektoral për listat e hapura? Unë mendoj se të tria këto kanë lidhje organike që e ka sjellë koha e re historike në Shqipëri.