Në Elbasan Arena Kukësi do të presë Teutën në një ndeshje që do të luhet në orën 20:45. Pritet që kjo ndeshje të jetë shumë e luftuar me skuadrën veri-lindore që e sheh Kupën e Shqipërisë si mundësinë e vetme për të fituar trofe duke qenë se në kampionat është larg Tiranës. Edhe për Teutën që feston 100 vjetorin e themelimit të saj, ky kompeticion ka shumë rëndësi edhe për faktin se garanton pjesëmarrjen në kompeticionet evropiane. Skuadra durrsake ka bërë paraqitje të mira në ndeshjet e fundit dhe trajneri i Kukësit, Orges Shehi ka kërkuar që skuadra e tij të tregohet e kujdesshme ndaj kundërshtares së saj

Më herët, në orën 17:45, Tirana do të luajë në Ballsh ndaj Bylisit në gjysmëfinalen tjetër të Kupës së Shqipërisë. Bardhekaltrit janë gjithnjë e më pranë titullit të 25 kampion, por kryeqytetasit duket se nuk kanë ndërmend që të tolerojnë as në kupën e Shqipërisë për të tentuar realizimin e dopietës së trofeve. Megjithatë për skuadrën e Tiranës nuk do të jetë e lehtë me trajnerin Emmanuel Egbo që e ka pranuar vetë shkallën e vështirësisë së kësaj ndeshjeje teksa e ka përkufizuar Bylisin si një skuadër agresive.

Të dyja sfidat e para gjysmëfinale të Kupës do të transmetohen në platformën Digitalb, ndërkohë që ato të kthimit do të luhen në 15 korrik, ndërsa finalja e Kupës së Shqipërisë do të luhet në 2 gusht.