Nga Skënder Minxhozi

Presidenti foli më në fund për ndryshimet kushtetuese në lidhje me zgjedhjet. Ai evokoi vitin 2008 kur PS e PD ndryshuan ligjin themelor te shtetit, duke prodhuar stinën e gjatë të zgjedhjeve me lista të mbyllura, ku krerët partiakë vendosnin cili shkonte në parlament dhe cili mbetej jashtë.

E tepërt të kujtosh se dy momentet kohore nuk kanë asnjë lidhje mes tyre. Sot s’ka më pakt PD-PS dhe çështja shtrohet pikërisht për të thyer statu quonë e vitit 2008.

Ilir Meta duhej të ishte më i gëzuar se askush tjetër, që listat do të hapen dhe që lëmshi kushtetues i vitit 2008 do të marrë fund. Po ja që ai është i gatshëm të mërzitet edhe për ato që dikur i kishte objektiva bazë të luftës së tij politike. Presidenti vijon të lundrojë me flamur opozitar të shpalosur hapur dhe pa asnjë skrupull formal.

Ky qëndrim tregon jo vetëm shbalancimin e plotë të institucionit të presidentit, por edhe nevojën urgjente që ky kolaps demokracie të fillojë të ndryshojë. Dhe zanafilla e këtij ndryshimi fillon me thyerjen e fenomenit negativ të emërimit të deputetëve në parlamentin shqiptar.

Sa për një kujtesë të fundit, meqë Meta flet për mbajtje fjale: ju kujtohet kur në zgjedhjet e vitit 2009 shprehej se nuk duhet votuar Rama, sepse ai i rrahu krahët Berishës pas Gërdecit? Votoni LSI, se ne e çojmë në pension Sali Berishën, thoshte Ilir Meta asokohe. Dhe sapo mbaruan zgjedhjet, e kujtoni çfarë bëri? I zgjati kontratën e punës kryeministrit Berisha edhe me katër vjet të tjera, duke ndarë qeverinë me të. Kjo po, që konsiderohet mbajtje fjale…/JavaNews