Sot do të zhvillohet normalisht seanca e radhës e Kuvendit, ku është futur në rendin e ditës edhe votimi i Paktit të 5 Qershorit pas marrëveshjes mbrëmë mes shumicës socialiste dhe opozitës parlamentare. aNdërkaq disa dekrete të Metës, përfshirë edhe atë për emërimet në Gjykatën Kushtetuese do të votohen sot. Komisioni i Ligjeve pranoi paraprakisht dekretin e Metës për Gjykatën Kushtetuese bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias, opinioni i së cilës i dha pikërisht të drejtë Presidentit për mekanizmin zhbllokues që miratoi PS në Kuvend.

Si asnjë herë tjetër, në vitin e fundit Kuvendi do të mblidhet 4 herë në harkun e 7 ditëve. Madje, në fillimin e javës së ardhshme do të ketë dy seanca të njëpasnjëshme plenare sipas kalendarit që u votua dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Përveç numrit të lartë të akteve dhe intensitetit të lartë të mbledhjes së Kuvendit, në këto 7 ditë do të kalojnë në Kuvend ligje me peshë shumë të madhe. Po ashtu, në seancën e sotme plenare do të jenë në interpelanca ministrat Gent Cakaj dhe Besa Shahini.