Tre vite ka zgjatur karriera e Bardhyl Kollçakut në krye të Forcave të Armatosura, ndërkohë që sot ai është zëvendësuar nga Bajram Begaj. Presidenti Ilir Meta ka dekretuar sot emërimin e Gjeneral major Bajram Rushit Begajt si Shef të Shtabit të Përgjithshëm të FA në Shqipëri. Begaj deri më sot mbante detyrën e Komandantit të Komandës së Dokrtinës dhe Stërvitjes por tashmë do të ketë një detyrë edhe më të rëndësishme.
Kujtojmë se më 3 korrik Meta e gradoi me titullin Gjeneral major, komandantin Bajram Begajn, kurse sot do të jetë Shef i Shtabit të FA, detyrë që më parë e mbante Bardhyl Kollçaku.

NJOFTIMI NGA PRESIDENCA 29 korrik 2020 Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta dekretoi sot emërimin e Gjeneral Major Bajram Rushit Begaj, Shef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Gjeneral Major Bajram Begaj mbante detyrën e Komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Kush është Gjeneral Major Bajram Begaj Gjeneral Major Bajram Begaj, ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998.

Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer: “Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen”, në Shqipëri; “Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë”, në Shqipëri; “Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji”, në Shqipëri; “Kursin e menaxhimit spitalor” dhe “Kursin e lidershipit mjekësor strategjik”, në SHBA; “Specializimin në fushën e mjekësisë” dhe “Kursin e Shëndetësisë”, në Greqi. Gjeneral Major Bajram Rushit Begaj, ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi. Ai ka kryer detyra të ndryshme si: Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor, në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.