Sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez, ka pretenduar se ai gjithmonë e jep më të mirën nga vetja për zikaltrit, mes spekulimeve të vazhdueshme për një transferim potencial të tij në Barcelonë këtë verë.

Lautaro Martinez ka luajtur në 31 ndeshje të Serisë A këtë sezon, në të cilat ka kontribuar me 13 gola dhe pesë asiste, në sezonin e tij të dytë me klubin zikaltër.
“Unë jam një djalosh që lufton gjithmonë. Luftoj për golat e mia, për ata që i kam në skuadër dhe për lumturinë e tifozëve”, u shpreh argjentinasi para ndeshjes kundër Fiorentinës.

22-vjeçari është dashur ta marrë përgjegjësinë e golashënuesit pas largimit të Mauro Icardit, i cili shkoi në Paris Saint-Germain verën e kaluar, dhe e ka formuar këtë sezon një partneritet në sulm me Romelu Lukakun.

“Trajneri Conte ma dha besimin për këtë rol. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme dhe fondamentale sepse ai punon me mentalitetin e secilit lojtar”, shtoi Lautaro.

“Unë e vlerësoj këtë shumë, sepse ai na ndihmon të zhvillohemi çdo ditë”.

Spekulimet për një transferim të mundshëm në Barcelonë kanë qenë të vazhdueshme që nga vera e kaluar, mirëpo Lautaro ka insistuar se ai është i gatshëm të japë gjithçka nga vetja për Interin.

“Unë gjithmonë jap 110 për qind nga vetja për këtë klub, për të gjithë njerëzit që e duan klubin dhe fanellën e Interit”, përfundoi Lautaro.