Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi sot ndryshimet në ligjin “Për taksat vendore,” propozim i tre deputetëve të mazhorancës përmes së cilit synohet përshpejtimi i legalizimit të ndërtimeve informale. Deputetja e partisë Socialiste, Evis Kushi, një nga nismëtaret e projektligjit tha se me këtë nismë synojmë heqjen e detyrimit për pagesën e taksës së infrastrukturës nga ana e subjektit që ka kryer ndërtimin informal që mund të jetë banesë apo edhe biznes, si kusht për tu pajisur me lejen e legalizimit.
Në vitin 2018 u miratua në ligjin “Për taksat vendore” ndryshimi sipas së cilit subjektet që kërkonin legalizimin e ndërtimit të tyre informal duhet të paguanin fillimisht taksën e ndikimit në infrastrukturë pranë bashkive dhe më pas do të pajiseshin me lejen e legalizimit. Por kjo procedurë që konsiderohet e gjatë, theksoi Kushi, ka ulur interesin e qytetarëve për të kryer legalizimin e pronës së tyre. Kushi tha se sipas statistikave, numri i aplikimeve për të legalizuar ndërtimet informale nga ana e qytetarëve ka një rënie me 2-3 herë për shkak të kësaj procedurë.
“Procesi i legalizimit duhet të vijojë pa u kushtëzuar nga veprimtari që nuk janë pjesë e aktivitetit të saj. Bashkitë duhet të gjejnë mekanizma të tjerë për të mbledhur këtë taksë, pasi synimi i qeverisë është mbyllja e procesit të legalizimit në një kohë sa më të shpejtë”, tha Kushi.