Ish-portieri legjendar i Manchester Unitedit, Peter Schmeichel, i ka dalë në mbrojtje David de Geas për ta mbajtur pozitën e portierit të parë të Djajve të Kuq edhe për një dekadë, pas kritikave të shumta drejt portierit spanjoll së fundi. 29-vjeçari David De Gea është përballur me kritika gjatë javëve të fundit për një numër të golave të pësuara gjatë këtij sezoni, së fundi kundër Bournemouthit dhe Tottenhamit, transmeton Gazeta Express.
Legjendat e klubit, si Roy Keane, Rio Ferdinand dhe Gary Neville, e kanë kritikuar publikisht portierin për ato paraqitje të tij, përderisa është spekuluar se Dean Henderson, i cili për momentin është i huazuar në Sheffield United, do t’ia zërë spanjollit vendin sezonin e ardhshëm. Megjithatë, Schmeichel i ka dalë në mbrojtje spanjollit dhe pret që ai të mbetet portieri i parë në një periudhë më afatgjate.
“Ai ka qenë i mrekullueshëm për ne, nuk kam asnjë dyshim për këtë. Ai qëndroi këtu gjatë periudhës më të vështirë të historisë moderne të Manchester Unitedit”, ka thënë ish-portieri i Manchester Unitedit. “Ai është shpallur katër herë Lojtari i Vitit. Kjo e tregon vetë historinë e paraqitjeve të tij në klub. Është e thjeshtë ta fajësosh portierin, por unë s’do ta bëj këtë gjë. Mendoj se atij i duhet pak kohë për t’u mësuar me stilin e ri të lojës të klubit”.
“David është numri 1 i jonë, ai është ende i ri. Mund të luajë edhe për dhjetë vjet. Le ta mbështesim atë. Ne duhet t’i mbështesim lojtarët që i kemi sepse e dimë që kemi lojtarë të mirë”.