“Reds” do ta kërkojnë sonte fitoren ndaj Brightonit në tentim të ndjekjes së rekordit 100 pikësh të Cityt Liverpooli do ta kërkojë sonte gjithsesi fitoren ndaj Brightonit, në kuadër të xhiros së 35-të të Premierligës. “Reds” tashmë e kanë siguruar titullin e kampionit, por për fitore i motivon diçka tjetër. Në fakt, Të Kuqtë janë në ndjekje të rekordit të Manchester Cityt, i cili i kishte grumbulluar 100 pikë brenda një sezoni. Kampioni aktual evropian ka nevojë për katër fitore në pesë ndeshjet e fundit për ta regjistruar rekordin e ri për një edicion.
Kjo është arsyeja se pse klubi nga “Anfield Road” do të tentojë t’i fitojë ndeshjet e mbetura të sezonit. Aktualisht, gjashtë herë kampioni evropian i ka 89 pikë. Kjo ndeshje do të fillojë në orën 21:15. Ndërkohë, sonte zbret në fushë edhe Manchester City, i cili luan sa për prestigj kundër Newcastle Unitedit. Kjo ndeshje do të fillojë në orën 19:00.