Nga Mero Baze
Lulzim Basha i ka bërë të gjitha gati. Ka gjetur një Komision që do pres të rikthyerit. Ka bërë një rregullore. Do shpall dhe një konkurs ku ata të merren në pyetje. Ka bërë kritere për deputetë dhe kryetarë bashkish që do zgjidhen në të ardhmen….Por problemi është se deri më tani nuk ka asnjë person që të ketë kërkuar të rikthehet në PD. Ky është thelbi i problemit. PD nuk po përballet me një valë njerëzish që duan të rikthehen dhe ata nuk kanë si ti seleksinojnë. PD po përballet me një indiferencë dhe përbuzje nga vet ata që ka zbuar, pasi askush nuk ka bërë ndonjë kërkesë të tillë.
Dhe ky është poshtërimi i madh i PD prej Lulzim Bashës. Pasi e ka shkatërruar identitetin e PD me prurjet e tij, pasi ka fyer dhe larguar të gjithë ata që mund ta konkuronin, tani do të prodhoj lajme, sikur dikush po rikthehet dhe ai po bën gati konkursin dhe kriteret si do ti pranojë. Së pari ata që janë larguar nuk janë larguar, as me kritere dhe as me konkurs. Janë larguar me arbitraritet. Atyre u është ndërprerë karriera prej Lulzim Bashës dhe jo prej kritereve të konkurimit apo performancës në atë parti.
Dikë që e ke zbuar duke e poshtëruar, mos prit ta rikthesh me konkurs apo komisione qesharake, pasi më e pakta që ndodh është se ai nuk ka më punë me ty. Së dyti kriza e PD nuk ka të bëj me kriteret e seleksionimit, pasi ajo do ishte krizë luksi. Kriza e sotme e PD është se Lulzim Bashës, nuk ka kush ti trokas në derë, as nga të ikurit, e as nga të rinjtë. Nëse do të ndodhte që në derën e PD do trokisnin mijëra njerëz, PD e kishte të fituar betejën, pasi ishte duke krijuar frymë dhe besim. Nuk kishte rëndësi pastaj si do ti zgjidhte Luli, me konkurs apo me zarfa tek Kunati.
E rëndësishme ishtë që do kishte kë të zgjidhte. Tani siç po duket Basha ka në dorë të zgjedh vetëm Komisionin e Konkursit, i cili nuk ka gjasa të marrë në pyetje askënd. Pasi aksush nuk ka dëshirë të trokas në një derë, nga e cila e kanë zbuar pa i kërkuar kurrë falje.
Së fundmi që ka edhe më shumë rëndësi për opozitën, PD duhet të rikthejë në orbitën e vet parti të vogla dhe individë që nuk duan të kthehen në PD, por duan të jenë në opozitë. Në PD askush nuk beson që ka rregulla ndaj dhe shumë të larguar prej saj, mund të organizohen më vete. Ndaj tyre PD po tregohet shumë më e egër se sa me PS. Beteja e saj kundër hapjes së listave, si propozim i opozitës parlamentare, dhe këmbngulja e PD, për të mos depolitizuar administratën zgjedhore, ka synim të shkatërrojë çdo frymë të re opozitare që nuk e ka nën kontroll. Sul met e tij ndaj Murrizit, Hajdarit, Topallit apo Patozit që dukshëm mund të krijojnë grupime të vogla opozitare, janë radiogarfia më e qart e përçarjes që ai mbjell në opozitë. Dhe mjafton kjo panoramë e opozitës së copëzuar, që të shumëzojë me zero gjithë frymën e bashkimit dhe fuqizimit imagjinarë të opozitës Bashës. Tema