Në bashkinë e Maliqit, fermerët i janë rikthyer kultivimit të grurit duke rritur ndjeshëm sipërfaqet e mbjella me këtë kulturë, krahasur me një vit më parë. Drejtori i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkinë Maliq, Arben Dulellari tha ATSH-së se, “këtë vit, fermerët e Maliqit kanë mbjellë me grurë mbi 3 mijë hektarë tokë, ose 400 hektarë më shumë se në vitin 2019”.

Dulellari shpjegoi se, për fermerët e kësaj zone kultivimi i grurit është traditë e kahershme. Por gjithashtu, vijoi ai, gruri është një prodhim më i sigurtë për shitje pasi grumbullohet shpejt nga mullinjtë e blojes, të cilët e vlerësojnë si më cilësor prodhimin e vendit. Sipas tij, në shtimin e sipërfaqeve me grurë ka ndikuar edhe rënia e interesit për kultivimin e patates këtë vit.

Aktualisht në fshatin Pojan, Njësia Administrative Pojan, ka nisur tashmë korrja e grurit. “Pritet që rendimentet këtë vit të jenë më të larta se vitin e kaluar, siç shprehen dhe vetë fermerët. Vetëm tek një parcelë pritet një rendiment prej mbi 85 kv/ha grurë “- u shpreh Dulellari.