Ole Gunnar Solskjaer i gëzohet kualifikimit të Manchester United në Champions League për sezonin e ardhshëm.
Falë suksesit 0-2 në King Power Stadium në përballjen direkte ndaj Leicester, Djajtë e Kuq e mbyllën kampionatin në vendin e 3-të në kuotën e 66 pikëve dhe trajneri norvegjez është i lumtur për këtë arritje pasi me rikthimin e futbollit pas pandemisë United ka treguar fytyrën e saj të vërtetë.
“Jam i lumtur për faktin që kemi siguruar një vend në Champions League. Kemi rikuperuar shumë, ishim shumë pas në renditje, por ia dolëm të kapërcejmë shumë skuadra. Kemi treguar vazhdimësi dhe mentalitetin e duhur”, tha Solskjaer.
“Po ndërtojmë një grup dhe një kulturë spektakli, duhet të ndihemi krenarë. Iu thashë djemve që, pavarësisht se çfarë do të ndodhte sot, ne kemi fituar. Lojtarët kanë treguar cilësitë e tyre si grup, po dukemi gjithnjë e më shumë si Manchester United i vërtetë. Është krijuar një ambient shumë më i mirë se sa ka qenë“, u shpreh tekniku norvegjez.