“Do të vijojmë të bëjmë detyrën tonë për zgjerimin e kapaciteteve me hapjen e COVID3 dhe COVID4, por a është kjo më e mira apo është më e mira që secili të marrë përgjegjësinë individuale, të vendosi maskën dhe të ulim të gjithë së bashku riskun për infeksionin dhe kështu do të ulet numri i të infektuarve, që çon në më pak persona të shtruar në spital dhe më pak humbje jete”
23 Korrik- “Kapacitetet e dy spitaleve COVID po plotësohen, me mbi 120 të shtruar të konfirmuar dhe disa dhjetra të dyshuar të shtruar në këto spitale. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që ne shumë shpejt do të ezaurojmë kapacitetet e dy spitaleve të dedikuara dhe do të hapim një spital të tretë, të katërt. Ne do të bëjmë detyrën tonë, do të vijojmë me forcimin e kapaciteteve spitalore. Por a është më e mira kjo? Eshtë më e mira që ne të vijojmë të hapim spitalet pa fund, sepse na rriten të prekurit me Covid19, apo është më e mira që secili të marrë përgjegjësinë individuale, të vendosi maskën dhe të ulim të gjithë së bashku riskun për infeksionin dhe kështu do të ulet numri i të infektuarve, që çon në më pak persona të shtruar në spital dhe më pak humbje jete”. Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu gjatë fjalës së saj në Kuvend, në seancën e miratimit të Aktit Normativ që e bën të detyrueshme vendosjen e maskës në ambientet e mbyllura. Duke e vlerësuar si një masë shumë efikase për uljen e numrit të të prekurve, Manastirliu kërkoi edhe nga deputetët e Kuvendit të japin shembullin personal për vendosjen e maskës.
“Teksa prezantoj këtu këtë Akt Normativ, shoh që disa nga ju kolegë të nderuar nuk e mbani maskën. E nëse ju refuzoni të mbani barrierën mbrojtëse që mbron ju, familjarët tuaj nga ky infeksion, sigurisht që nuk mund të jeni shembulli më i mirë për t’u marrë, përsa i përket masave që të gjtihë së bashku duhet që të zbatojmë për luftën ndaj këtij infeksioni. Nuk duhet t’ju mbush unë mendjen, mendjen duhet ta keni të mbushur sepse kjo nuk është një masë që po e vë qeveria sepse duhet të mbushi mendjen, por kjo është një masë e propozuar nga e ekspertët dhe e gjithëpranuar si një domosdoshmëri për uljen e riskut ndaj një infeksioni që është i rezikshëm dhe është vdekjeprurës”, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë ka theksuar se tashmë po jetojmë në një normalitet të ri ku maska duhet të bëhët pjesë e secilit prej nesh në të përditshmen tonë.
“Kjo kërkon mobilizimin e të gjithë qytetarëve dhe këtë duhet ta bëjmë jo vetëm për veten tonë, duhet ta bëjmë për të afërmit tanë dhe për të gjithë ata mjekë dhe infermierë që kanë 140 ditë që janë në krye të detyrës në vijën e parë të luftës me Covid19 dhe që janë duke punuar 24/7 për të shpëtuar jetë. Duhet të na kthehet në rutinë, siç vishemi në mëngjes duhet të vendosim maskën dhe të vazhdojmë jetën tonë në normalitetin e ri, nuk ka më normalitet të vjetër, derisa vaksina të na garantojë të kthehemi në normalitet. Por besoj që dhe vaksina kur të dalë, Bota do të ketë ndryshuar dhe ne nuk do të jemi më të njëjtët”, tha Manastirliu gjatë fjalës së saj në Kuvend.