Deputeti Alket Hyseni, anëtar i Komisionit të Ligjeve u shpreh sot në një intervistë televizive se diskutimi i Reformës Zgjedhore është proces dinamik.
“Ne gjendemi përballë një kërkese në rritje të opinionit publik, ku sipas sondazheve janë gati 85% e votuesve që kërkojnë të ndryshojë çështja e listave dhe të përcaktohen listat e hapura si një mënyrë demokratike për t’i dhënë mundësi votuesit për të përzgjedhur. Jemi duke përmbyllur ndryshimet kushtetetuese përsa i takon listave të hapura”- tha ai.
Gjatë intervistës, Hyseni u shpreh se, ne kemi qenë të hapur për të diskutuar me opozitën jashtëparlamentare për të gjitha çështjet e Reformës Zgjedhore dhe mazhoranca ka përgjegjësinë për të miratuar këtë reformë, ku çështja për listat e hapuara mbështetet nga opozita që është në parlament.
“Ne po diskutojmë elementë teknikë të reformës pasi ndryshimet nuk prekin aspekte esenciale të Kushtetutës dhe as të Kodit Zgjedhor. Çështja e listave është element teknik se si do jetë fleta dhe listat e votimit. Roli ynë është që vullnetin e qytetarëve ta kthejmë në ligj. Nga pikëpamja profesionale unë mendoj se nuk ka asnjë pengesë pasi janë dy dispozita të thjeshta për t’u prekur dhe Partia Demokratike e ka të gjithë ekspertizën për këtë. Por ndryshe nga 85% e shqiptarëve, PD bën kalkulime elektorale. Ne nuk bëjmë dot kalkulime elektorale që të sjellin fitoren apo humbjen e PS, aq më pak të bëjmë ligje dhe të ndryshojmë Kushtetutën për të humbur PD. Ne e ndryshojmë Kushtetutën për t’iu mundësuar shqiptarëve shprehjen më demokratike të votës dhe një Kushtetutë që qëndron në funksion për disa dekada”, deklaroi Hyseni.
Ai shpjegoi se, miratimi i Reformës Zgjedhore në datën 30 korrik, i hap rrugë implementimit të Kodit Zgjedhor dhe institucioneve të reja të administrimit të zgjedhjeve, pasi KQZ do të riformatohet në tre struktura drejtuese por edhe për të implementuar çështjet e teknologjisë, të kërkura një orë e më parë nga opozita. Hyseni theksoi se edhe deklaratat e ndërkombëtarëve janë të qarta, që forcat politike në vend të bashkëpunojnë dhe të votojnë më 30 korrik ato që kërkohen nga 85% e shqiptarëve.
“Të gjitha ndryshimet që kërkoi opozita ne i përfshimë. Ne u tërhoqëm nga shumë gjëra për hatër të opozitës. Dialogu është të lëshosh për të mirën e vendit dhe këtë gjë duhet të bëjë edhe opozita. T’i shmangen debatit me shpresën se mund të hamendësojnë gjërat se po i kërkojnë shqiptarët, këtë nuk kanë asnjë shans për ta bërë. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet për konsensus maksimal. Por mospërfshirja e opozitës në këto ndryshime është problem i opozitës”- tha ai.
Hyseni theksoi se, nuk ka asnjë vend demokratik që të ketë miratuar ndryshimet e Kushtetutës me 100% të votave dhe Shqipërisë do t’i bënte shumë mirë nëse do të kishim edhe vullnetin e PD, por një gjë duhet të ketë parasysh opozita që një pakicë e vogël nuk mund të pengojë rrugëtimin e gjërave të rëndësishme për vendin. Ai theksoi se, koha e ultimatumeve ka përfunduar. Sa iu përket koalicioneve ai tha se nuk hiqen por nuk duhet të bien ndesh me listat e hapura.
“Koalicionet nuk hiqen, opozita i referohet një drafti të opozitës parlamentare, fillestar që nuk qëndron. Koalicionet janë të lejuara dhe do ta shikoni që janë aty. Por nuk ka koalicione që bien ndesh me listat e hapura. Janë koalicione me lista të përbashkëta. Opozita kujton se duke bërë pazare do i hedhë hi syve shqiptarëve. Nuk ka më pazare. Çdo formë koalicioni siç e kanë vendet perëndimore është e lejuar”, u shpreh Hyseni.