Kylian Mbappe është i lumtur te PSG. Në një intervistë pas fitores 4-0 në miqësoren ndaj Celtic, ylli francez i Parisit konfirmoi dëshirën për të qëndruar në Parc Des Princes.

Fjalët e Mbappe kanë ardhur vetëm disa ditë pasi presidenti i Realit të Madridit Florentino Perez deklaroi se në merkaton e kësaj vere do ta ketë të pamundur të firmosë me një futbollist si Mbappe, pasi për ta bërë diçka të tillë duhet t’u uli pagat lojtarëve të tjerë të skuadrës. Gjithsesi Mbappe për momentin ndihet mirë te Paris Saint Germain.

“Jam në Paris dhe dua të jem pjesë e projektit. Do të jem pjesë e PSG sezonin e ardhshëm dhe do të përpiqem të fitoj sa më shumë trofe që të jetë e mundur”, ka deklaruar kampioni i botës për BeinSports.

Më tej ai ka shtuar: “Jam në vitin e katërt të këtij projekti. Është një vit i rëndësishëm, pasi është 50 vjetori i klubit. Kjo është e rëndësishme në sytë e ekipit dhe të tifozëve, ndaj do përpiqem të bëj çmos që të fitojmë gjithçka”. PSG u shpall kampion gjatë këtij sezoni, ndërkohë që është në garë për fitimin e Champions League teksa do të përballet në çerekfinale me Atalantën.