Mbi 15 mijë minatorë, naftëtarë dhe metalurgë kanë përfituar deri tani trajtimin me pension suplementar.
Pension për shkak të profesionit kanë të drejtë që ta përfitojnë ish-punonjësit, të cilët kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë, ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit, si dhe ish-punonjësit, të cilët kanë punuar në metalurgji.
Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore janë dorëzuar deri tani mbi 22 mijë dosje dhe po vazhdon me intensitet të plotë puna për shqyrtimin e tyre për të bërë të mundur dhënien e përfitimeve që vijnë për shkak të profesionit dhe për shtesë të pensionit të pleqërisë ose invaliditetit, sipas parashikimeve të ligjit nr. 29/2019.
Për periudhën 1 – 10 korrik 2020 i janë shtuar listës së përfituesve dhe 414 persona, duke e çuar në 15 100 në total, deri tani, numrin e përfituesve nga ky ligj.
“Në këto ditë të vështira për të gjithë ne, sigurimet shoqërore kanë vazhduar punën në shërbim të qytetarëve, në mënyrë që askush të mos mbetet pa shërbimin e merituar”, bën të ditur drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado.