Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, deklaroi sot se në fund të këtij viti do të ndërtohen ose rindërtohen 38 shkolla në Tiranë dhe 20 të tjera jashtë kryeqytetit. Në një deklaratë për shtyp, ministrja Shahini tha se “21 mijë nxënës janë zhvendosur nga shkollat e tyre në shkolla të tjera dhe kjo ka paraqitur vështirësitë e veta kur ka filluar pandemia, gjë që na detyroi të marrim masat. Kur filloi hapja ishte shumë e vështirë të kthenim nxënësit në shkolla. Tërmeti dhe pandemia e bënë të pamundur që të zhvillojmë një proces normal mësimor”. “Buxheti i ministrisë për investime madhore tashmë është orientuar drejt rindërtimit të shkollave. Besoj se këtë vendim e mbështesni të gjithë. Në fund të vitit do të ndërhyhet në 38 shkolla të Tiranës dhe 20 të tjera jashtë kryeqytetit. Nga dhjetori do të kemi dhe shkollat e reja”, nënvizoi Shahni.
Sipas saj, prioritet janë shkollat me më shumë nxënës. “Përkundër presionit buxhetor të shkaktuar nga krizat kemi ruajtur dy projekte të mëdha për vijimin e arsimit. Arritëm të ruajmë projektin e librave falas. Kemi rritur fashat dhe të atyre që përfitojnë libra falas dhe në shkollën e mesme. Braktisja e shkollës është ulur shumë, por nuk jemi në zero. Të gjithë duhet të kenë qasje në mësim. Projekti i dytë është pakti për universitetin dhe subvencionimi i tarifave për studentët”, theksoi Shahini.
Ministrja tha se “mbi 90% e studentëve përfitojnë nga ky pakt, ndërsa përsa i përket bursave përfitojnë studentët ekselentë”. Duke e cilësuar të suksesshëm mësimin online të zhvilluar për shkak të pandemisë COVID-19, Shahini tha se “mësimi online dhe RTSH shkollë ka funksionuar shumë mirë dhe ka patur zero rezistencë nga mësuesit, nxënësit dhe prindërit. Por jemi të vetëjdishëm se nuk ka qenë cilësia më e mirë, por jemi përpjekur sa ka qenë e mundur”.
“Janë 1.2 milionë video, selfie-video, që mësuesit iu kanë dërguar nxënësve të tyre. 9400 nxënës nuk kanë marrë pjesë në mësimin online fillimisht, por me një donacion për 5000 nxënës u gjet zgjidhja. Fokusi në shtator kur të kthehemi në shkolla është që të sheshojmë problemet për këta nxënës”, – shtoi ajo.