Prej orës 18:00 ka nisur mbledhja e Këshillit Politik. Opozita propozon amendamentin për hapjen 100 % të listave të kandidatëve. Sipas tyre çdo ndryshim tjetër i njëanshëm është i papranueshëm, prish marrëveshjet e 5 Qershorit dhe 14 Janarit. Opozita ka paraqitur sot në Këshillin Politik qëndrimin që i vetmi ndryshim kushtetutes i nevojshëm dhe i mjaftueshëm që krijon mekanizmin për lista 100 % të hapura është si vijon: “Në nenin 68 të Kushtetutës, fjalia e tretë, e pikës 1, shfuqizohet.” Ky amendament duhet të reflektohet, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për qytetarët, nga të gjitha partitë politike dhe aktorët zgjedhorë, në Kodin Zgjedhor. Këto ndryshime duhet më pas të dërgohen për miratim në Parlament si një paketë e vetme.
Opozita ka rikonfirmuar se ndryshimet e tjera të propozuara nga Partia Socialiste cënojnë garën elektorale mes partive politike, 6 muaj përpara datës për regjistrimin në zgjedhje. Opozita ka theksuar në mbledhjen e Këshillit Politik se ndryshimet e tjera të propozuara nga Partia Socialiste cënojnë rëndë barazinë e palëve në një proces zgjedhor. Ato janë hartuar dhe imponuar në mënyrë të njënashme të nga njëra palë, për ti shërbyer interesave të ngushta politike, në situatën politike të momentit, 6 muaj para regjistrimit në zgjedhjet e ardhshme. Kujtojmë se kjo mbledhje është kërkuar nga Partia Demokratike dhe vjen një ditë pasi në Kuvend do të votohet për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Opozita jashtëparlamentare ka thënë se është pro hapjes së listave por me kushtin që të mos preket çështja e koalicioneve.