Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti. Kreu i Shtetit e uroi kryeministrin Hoti për detyrën e re dhe për sa më shumë suksese në të mirë të Kosovës, popullit të saj dhe të ardhmes europiane. Presidenti Meta dhe kryeministri Hoti diskutuan rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, proceseve të përbashkëta integruese në Bashkimin Europian, si dhe zhvillimeve në rajon.
Presidenti Meta theksoi se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Në këtë kuadër janë të mirëpritura përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, për rifillimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”, tha presidenti Meta.
Kreu i Shtetit shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës do të vijojnë të përfaqësojnë interesin më të mirë të Kosovës në dialogun me Serbinë. Gjithashtu, presidenti Meta inkurajoi bashkëpunimin e ngushtë me partnerët strategjikë, që kanë patur një rol vendimtar në pavarësinë e Kosovës dhe afirmimin e saj ndërkombëtar.
Kreu i Shtetit Meta theksoi se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një domosdoshmëri që duhet të ndodhë sa më parë. Presidenti Meta i premtoi kryeministrit Hoti se edhe kësaj vere do të promovojë më kënaqësi bukuritë natyrore të Kosovës dhe shprehu besimin se më shumë turistë nga Kosova do ta vizitojnë Shqipërinë.