Sipas “Gazzetta dello Sport”, përveç Shick, Milani po ndjek edhe Milot Rashicën për sulmin, i cili ka lindur më 1996 në Kosovë dhe është nën kontratë me Werder Bremen. Për ta marrë atë nevojiten 20 milionë euro, aq sa është klauzola e lirimit të tij nga klubi gjerman.

Mësohet se Ralf Rangnick e ka identifikuar Rashicën si një nga lojtarët e duhur, për ta marrë sa më shpejt në Milano. 24-vjeçari është sulmues i krahut të djathtë, me të kaluar në “Eredivisie”, ndërsa është dalluar gjatë sezonit të fundit me Werder Bremen. Ai ishte një nga më të mirët, nëse jo më i miri i një skuadre që rrezikoi zbritjen nga Bundesliga deri para disa ditësh.

Rashica është ndjekur prej kohësh edhe nga Napoli, që mendon ta blejë këtë verë si zëvendësues të Callejon. Sidoqoftë, Rangnick e njeh shumë mirë dhe, nëse do të sugjerojë blerjen e tij te Gazidis, atëherë klubi me siguri do të lëvizë. A do të jenë të mjaftueshëm 8 gola dhe 7 asiste në 28 ndeshje? Mbetet të shihet, teksa kjo është “paja” e Milot Rashicës në kampionatin e sapopërfunduar gjerman, për ta bindur Milanin.