Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Malit të Zi, Kemal Purishiq, është infektuar me koronavirusin e ri.

Lajmin e bëri të ditur qeveria malazeze, përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

“Prej rezultateve të mbrëmshme të testit, ministri dhe gruaja e tij kanë qenë në izolim”, thuhet në deklaratë. Në Mal të Zi, sipas të dhënave të fundit, janë regjistruar 66 raste të reja të të infektuarve me koronavirus. Dy persona kanë vdekur të martën nga sëmundja COVID-19, ka njoftuar Instituti i Shëndetit Publik. Që nga 14 qershori deri më 7 korrik, në Mal të Zi u infektuan gjithsej 583 persona, nga të cilat tetë humbën jetën.

Pesë pacientë u shëruan gjatë kësaj periudhe. Vendi përgjatë brigjeve të Adriatikut shpalli më herët çlirimin nga Covid-i, por me rikthimin e virusit në vendet e tjera të Ballkanit, edhe ai nuk mbeti imun. Tani rastet e reja po vijnë në rritje edhe në Malin e Zi, vend ky që është përfshirë nga Bashkimi Evropian në listën e vendeve të sigurta nga Covid-i.