Nga Skënder Minxhozi/ Lulzim Basha dhe Ilir Meta zhvilluan një betejë të plotë kundër listave të hapura, gjatë javëve të fundit. Ndërsa i pari pretendonte se asnjë hapje listash nuk bëhej dot pa një referendum popullor, i dyti e pëkrahte edhe ai këtë tezë, por ju drejtua gjithashtu edhe gjendjes së fatkeqësisë natyrore, për të provuar se nisma e Ramës për hapjen e listave ishte e paligjshme. “Iniciativa në vetvete është antikushtetuese. Gjatë gjendjeve që kërkojnë marrjen e masave për gjendjen jashtëzakonshme nuk mund të ndryshohet kushtetuta. Asnjë rishikim nuk mund të merret kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme”, tha Presidenti, paçka se është e vështirë të kuptohet se për çfarë “gjendjeje të jashtëzakonshme” flet Kushtetuta.

Të dy, edhe Basha edhe Meta, pasi kanë pirë sot kafen e rradhës, mesa duket kanë ndryshuar mendje dhe taktikë për listat. Jo më referendum, jo më gjendje e jashtëzakonshme. E tha kreu i PD, teksa pranoi më në fund, pas një kundërshtimi disajavor, se partia e tij është dakord me hapjen e listave. Por, tha ai, pa prekur koalicionet.

Më në fund Basha e kuptoi se nuk ka asnjë përfitim politik nga mosndarja e dy temave. Kuptoi se duhej të kishte përkrahur idenë e hapjes së listave, duke fokusuar energjitë tek ruajtja e koalicioneve. Do të kishte qenë qasja taktike më e mençur dhe njëkohësisht më problematike për Edi Ramën. Por siç e dimë nga ajo që kemi parë e dëgjuar këto shtatë vitet e fundit, Lulzim Basha s’ka shumë lidhje me taktikën. Ai vijon të mos dalë dot një hap para Ramës thuajse në asnjë rast. Vijon t’i vijë pas, e të hedhë hapin pasi ka parë rivalin e tij të çajë përpara.

Kalimi i marrëveshjes së 5 qershorit në parlament dhe sidomos përshëndetja në kor që i bënë votimit diplomatët e huaj, ka qenë këmbana e alarmit për opozitën dhe presidentin, në lidhje me marrëveshjen tjetër që ndodhet pas dere: atë mes PS e opozitës parlamentare.

Kafja e rradhës që Ilir Meta konsumoi me Lulzim Bashën, jo vetëm e ekspozon kryetarin e shtetit edhe më keq, në raport me detyrqën dhe postin që mban, por zbulon edhe konfuzionin e tij ndaj procesit të reformës zgjedhore. Pak minuta pas deklaratës së Bashës për listat, Meta refuzoi të komentojë dhe të mbajë një qëndrim të hapur. Tha se nuk merrej me çeshtje konkrete. Megjithëse është po ai vetë, që më shumë se një herë ka deklaruar se për listat duhet të ketë referendum dhe se kushtetuta s’mund të ndryshohet për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme.

Lëvizja e PD nga istikami i listave të mbyllura, hap më në fund negociatën e vërtetë drejt 30 korrikut. Drejt hapit të dytë të madh në lidhje me rregullat e zgjedhjeve. Me rreshtimin e opozitës së rrugës në favor të hapjes së listave, bie barriera që kishte ngritur njëra nga palët, për të penguar zhvillimin më substancial dhe më të rëndësishëm të kësaj reforme. Meta dhe Basha e kuptuan se nuk i ndalonin dot listat e hapura. Të shohim a do të ndalojnë dot edhe modifikimin e formulës së koalicioneve, nga treni i partive, drejt listës unitare.