Gjatë ditëve të fundit ka pasur një rënie të numrit të infektive të reja dhe sipas epidemiologut Ilir Alimehmeti kjo gjë bashkë me rritjen e numrit të të shëruarve tregon se, COVID-19 po arrin fazën plato apo siç thuhet ndryshe pikun. Por, ai thotë se rënia do të jetë e ngadaltë dhe pritet të vijoi deri në fund të gushtit.
“Është ngadalësuar rritja e të infektuarve dhe është rritur numri i të shëruarve. Duket një ngadalësim dhe mund të kemi një arritje të fazës plato. Nëse marrim Maqedoninë si shembull, ka filluar një rënie e lehtë dhe duket sikur edhe ne po pasqyrojmë këtë gjë dhe ndoshta në fund të gushtit mund të kemi rënien e ngadaltë”, tha ai.
Mjeku bën thirrje për kujdes dhe sipas tij masa më efikase për t’u mbrojtur nga infektimi është distancimi. Sipas tij, maska që nuk përdoret siç duhet mund të sjellë infektim.
“Distanca është pika kyçe. Nëse respektohet distanca nuk ka nevojë për asnjë lloj maske. Nëse nuk ka distancë atëherë maska është barriera e fundit. Maskat e bëra vetë kanë një far funksioni, por shumica dërrmuese nuk kanë efektivitet. Maskat jo efektive ofrojnë një mbrojte të rremë duke harruar distancën. Ka ndërgjegjësim për distancën dhe higjienën, ndërsa përdorimi i maskës është kryesisht për të evituar ndonjë gjobë apo penalitet”, tha z. Alimehmeti.