Dritan Ulqinaku, epidemiolog dhe nëndrejtor i ISHP-së i ftuar në emisionin Repolitix në Report TV tha se jemi në pikun e pandemisë së COVID-19. Ai thekson se këto shifra janë normale dhe të menaxhueshme kur çdo gjë është e hapur në vend. Ulqinaku thotë se ky trend shifrash të larta do të vazhdojë edhe për disa kohë, por nuk do të ketë rekorde të tjera. “Kemi shtrime edhe vdekje, por situata është në raport me numrin e personave pozitiv që fatkeqësisht ka ardhur në rritje. Nuk është problemi a kemi mundësi, por a kemi njerëz të specializuar, të kualifikuar për t’u shërbyer atyre. Nuk shoh ndonjë frikë imediate.
Është problemi i stafit më shumë se sa i ambienteve. Nuk pres ndonjë boom rastesh, ky trend do të vazhdojë edhe për disa kohë, mund ta menaxhojmë duke mos kaluar në mbingopjen e spitaleve. Është një trend normal i një jete normale meqë çdo gjë është hapur. Ky është piku që kemi duke pasur edhe këtë numër vdekjesh. Jemi në kohë të çuditshme, më vonë disa do të qeshin disa do të qajnë. Nuk kemi më shanse të kthehemi më pas. Të jemi secili të ndërgjegjshëm. Me një higjienë të maskës e duarve je 90% i mbrojtur. Aktualisht kemi 120 persona të shtruar. Kemi një numër të rritjeve në të gjithë botën dhe stabilizim të vdekjeve, do të thotë që kemi ulje të virulencës.
Ai ka treguar se mund të vdesë edhe një boksier i shëndetshëm, por ka treguar që nuk mund të ndërrojë jetë një 100-vjeçar. Ka një ulje të ashpërsisë së tij në të gjithë botën”, tha Ulqinaku. Sipas Ulqinakut edhe mbyllja e clube-ve të natës dhe diskove janë një nevojë për momentin që të shmangen grumbullimet, por nuk do të zgjasin shumë. Sipas Ulqinakut brenda një muaji do të hiqet dhe vendimi i qeverisë për mbylljen e diskove. “Duhet të eliminojmë atë pjesë që se kontrollojmë shumë. Nuk zgjidhet kjo punë me gjoba. Qeveria mundohet aty ku sensibilizimi nuk ka vepruar. Alkooli, nata , muzika bën që njerëzit të grumbullohen. Këto rregulla nuk duhet të vazhdojnë për një kohë të gjatë, sipas parashikimit tim brenda një muaji do të hiqen”, tha Ulqinaku. Ulqinaku i ka dhënë përgjigje konspiracionistëve që parashikojnë rritje të rasteve në muajt shtator-tetor.
Ai tha se nuk do të ketë trend në rritje në këto muaj, por theksoi se periudhat më të rrezikshme mbetet mesi i dimrit dhe verës për arsye se njerëzit qëndrojnë në ambiente me ajër të kondicionuar. “Ka disa vende që presin rritje në muaj në vazhdim, por kjo mund të ndodhë atje ku nuk ka organizim si në Indi, por jo në Kinë ku ka të tjera standarde. Në Shqipëri parashikoj një situatë të qetë në vjeshtë dhe në fillim të dimrit. Unë i trembem temperaturave ekstreme që i detyron njerëzit të qëndrojnë grumbull në ambiente të mbyllura dhe me kondicioner”, tha Ulqinaku.
Ulqinaku u shpreh se Shqipëria do të jetë ndër vendet e fundit që do të marrin vaksinën për shkak se shtetet e fuqishme po lëvizin më shpejt dhe porosisin doza më të mëdha. “Unë mendoj që Shqipëria do të jetë ndër vendet e fundit që do të marrin vaksinën, pasi shtetet e fuqishme lëvizin më shpejt dhe marrin masa dhe doza të mëdha. Nuk mundemi ne të depertojnë në tregjet e fuqishme që tani“, deklaroi ai.