Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, ka folur haptazi për përpjekjet që është duke i bërë për ta nxitur skuadrën e vet në Londrën e veriut të jetë më e bashkuar dhe më komunikuese mes vete, duke këmbëngulur se e urren heshtjen dhe monologët. Mourinho i akuzoi lojtarët e vet për mungesë dëshire në humbjen 3:1 kundër Sheffield United në Premierligë dhe tha se ata duhet të kalojnë më shumë kohë së bashku si ekip dhe jo të rrinë në rrjetet sociale, transmeton Gazeta Express.
Pjesë e këtij problemi, sipas trajnerit 57-vjeçar, është fakti sepse tani është shumë e lehtë për lojtarët ta ngujojnë veten në rrjetet sociale apo të luajnë video-lojërat kur ekipi qëndron në hotele. Ish-trajneri i Interit, Real Madridit, Chelseat dhe Manchester Unitedit është i vendosur ta përmirësojë komunikimin mes yjeve të Spurs. “Në kohën kur isha ndihmëstrajner, para 25 vjetëve, lojtarët rrinin bashkë tërë kohë”, tha Mourinho.
“Nuk kishin Xbox, PlayStation apo rrjete sociale. Ishte fillimi i telefonave mobil. Por lojtarët rrinin së bashku tërë kohën. Edhe kur shkonim në hotele, tërë kohën së bashku, është shumë më lehtë të zhvillosh privatësi, besim dhe ta ndërtosh një dinamikë të caktuar në grup”, shtoi ai. “Tani ndërveprimi dallon. Lojtarët janë nëpër rrjetet sociale duke luajtur Xbo apo PlayStation, dhe nuk e ndajnë hapësirën e njëjtë bashkë. Në nivel personal, nuk ka më komunikim siç ka pasur dikur”. “Duhet t’i nxisim ata tërë kohën për të mos u mbyllur në gëzhojën e vet. Ky është sport ekipor, grup ekipor – futboll nuk luan i vetëm. Ata duhet të bashkëveprojnë, të komunikojnë dhe t’i ndajnë idetë. Duhet të diskutojnë çfarë ndodh në një ndeshje, duhet ta motivojnë njëri-tjetrin. Heshtja më zemëron. E urrej heshtjen në zhveshtore, në takim. E urrej monologun, sepse nuk dua t’u flas lojtarëve për 20 minuta pa ndërhyrë dikush”, shtoi ai.