Mariglest Memajdini ishte vetëm 12 vjeç kur bëri diferencën nga shokët e klasës me talentin e tij në pikturë, por ky do të ishte vetëm fillimi i historisë.
Në moshën 5-vjeçare, Mariglesti u largua nga qyteti i tij i lindjes Përmeti, i njohur ndryshe edhe qyteti i skulptorëve pa e ditur që e ardhmja e tij do të ishte e rrethuar nga arti i gdhëndjes i “rrëmbyer” prej kësaj zone.
Pas përfundimit të universitetit të Arteve në Tiranë, Mariglesti nisi të praktikonte njohuritë e marra në bankat e shkollës të cilat i përforcuan talentin. Ai punoi në shumë kompani private në kryeqytet. E ndërsa çdo ditë kuptonte që mund të bënte shumë më shumë se aq, si çdo artist ai ëndërronte që të kishte një studio arti të tijën, objektiv për të cilin luftoi që në hapat e parë të rrugëtimit.
“Unë deri në moshën 5-vjeçare jam rritur në Përmet, në fshat, pastaj familja ime është transferuar këtu në Tiranë. Shumë piktorë shqiptarë janë nga Përmeti. Mesa duket është vendi i tillë” thotë Mariglest Memajdini për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Sot ai punon pa u lodhur në studion e tij “Gesti Art” aty ku u jep jetë imazheve të ndryshme, ideve të cilat nën moton “jepini formë ideve tuaja” transformohen në personazhe të dalë nga bota e filmave vizatimorë, aksesorë të ndryshëm apo forma ëmbëlsirash. I përkushtuar ndaj detajeve dhe me pasion të përditshëm për punën e tij, Mariglesti krijon personazhe nga bota e animacionit por jo vetëm. Ai i sjell ato për individët apo kompanitë e ndryshme të eventeve, në personalizime apo pamje të pafundme të botës së internetit, të cilat studioja e “Gestit” i kthen në objekte të prekshme.
Mariglesti rrëfen hapat që ndiqen në një proces punë, kur punohet me polisterol. “Hapi i parë i punës është ideimi, për të kaluar tek skica që qartëson idenë. Pastaj është radha e materialit të polisterolit që të gdhendet; e në fund ngjyrosja. Për ta bërë këtë, të duhet patjetër eksperienca e gdhendjes, procesi më i vështirë i ditës së punës. Nëse nuk ke talent apo nuk ke përfunduar një shkollë për skulpturë është pak e vështirë që ta kalosh këtë proces”, thotë ai.
Ajo që e gëzon më shumë Mariglestin është fakti se punët e tij mund t’i shijojë kushdo, pasi janë publike dhe e lejojnë artin e tij të shkojë tek njerëzit.
“Studion e artit e kam nisur nga zeroja. Krahas talentit tim nuk kam pasur një kapital të cilin e kam hedhur tek biznesi. Pra, duke punuar mbuloj të gjitha shpenzimet. Kur vjen një klient dhe bën një porosi, fillimisht kryen një parapagesë dhe me to blej materialet. Pasi përfundoj punën dhe klienti e merr të përfunduar, bëhet edhe pjesa tjetër e pagesës. Studioja “Gesti Art” është e veçantë në llojin e vet. Funksionon si studio artistike por duke përfshirë çfarëdo lloj dekori. Në u përshtatemi kërkesave të tregut, u japim formë çdo ideje të klientëve. Nën moton “jepini formë ideve tuaja”, klientët, kompanitë apo biznese të ndryshme mund të kërkojnë punime të ndryshme. Pra, nëse ti ke një ide, ne e vëmë në praktikë. Nuk është nevoja që të dalin jashtë Shqipërisë për të kryer një porosi por mund ta gjejnë atë këtu në Shqipëri”.
“Unë merrem me të gjthë llojet e punimeve por kërkesat janë kryesisht tek punimet me polisterol, kjo për arsye shpejtësie apo edhe të cmimeve që janë të arsyeshme. Pjesën më të madhe të porosive i kemi nga agjencitë e eventeve dhe studio fotografike”, u shpreh ai.
“Gjëja e parë që mund të them është që përmbushim kërkesat e klientëve dhe pritshmëritë e tyre. Përdorim çdo gjë të mundemi, për t’a bërë sa më real punimin. Ka edhe raste që i referohem edhe internetit për të bërë një përballje me versionin që kam ideuar që më herët, në mënyrë që punimi të jetë një alternativë ndërthurjeje për të krijuar më të mirën. Në studion time janë të punësuar 5 punonjës, të cilët në varësi të punimit ndahen edhe proceset, që nga pjesa e skulpturës, realizimi i formës, lyerja bazë, pikturimi, detajet etj. Gjatë verës ka shumë porosi për punime të tilla si: akullore, ëmbëlsira, gjëra me shumë ngjyra”, rrëfen Mariglesti.
Pavarësisht se studioja e tij ka afro 3 vjet që është ngritur, akoma nuk është mundësuar eksporti i produkteve për shkak edhe të pagesave të larta në postën e shpejtë.
“Deri tani nuk kam eksportuar pavarësisht se kam patur shumë kërkesa nga jashtë si nga: Franca, Gjermania, Italia, Libani etj. Në Kosovë dhe Maqedoni kam eksportuar. Problem mbetet ai i postës së shpejtë por këtë gjë do ta zgjidh në të ardhmen. Postat e shpejta janë shumë të kushtueshme për produktet që kërkohen. Postat e shpejta janë pak të kushtueshme sepse duhet që produktet të mbërrijnë sa më parë në destinacion”, tregon ai një detaj të vështirësive që ka përballur.
Së fundmi, studioja e tij po u jep mundësi të gjithë të diplomuarve në arte për të marrë një lloj eksperience apo të rinjve të apasionuar pas artit, që të mësojnë procese të ndryshme të punës.
Krahas skulpturës, Mariglesti pëlqen edhe të pikturojë e të luajë me ngjyrat në kuadrot e tij, një proces që e çlodh dhe i jep një tjetër kënaqësi. Në muajin shtator, Mariglesti do të marrë pjesë në ekspozitën kolektive “Pranverë Art” për të cilën ka nisur të punojë që tani.