Mungesa e ndërhyrjes për më shumë se 30 vite, por edhe humbjet e mëdha në rrjet bënë që Bashkia e Elbasanit të nisë menjëherë rikonstruksionin e rrjetit të brendshëm të ujësjellësit në lagjen “Çlirimi” dhe “11 Nëntori”. Ndërhyrja është bërë në rrugët “Ali Caushi”, “Faik Neziri” dhe “Veli Stafa” ku i gjithë tubacioni i vjetër prej çeliku është zëvendësuar me tubacion të ri sipas standardeve. Investimi garanton jo vetëm më shumë furnizim me ujë të pijshëm, por mbi të gjitha cilësinë e tij.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla së bashku me kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, inspektuan punimet e kryera. Në fjalën e tij, Balla vuri në dukje se “ky investim erdhi menjëherë pas kërkesës së banorëve dhe ishte i domosdoshëm në një zonë që është korrekte në pagesa dhe e meriton vëmendjen e veçantë të bashkisë”.
Po ashtu Balla tha se “pajisja e të gjithë abonentëve me sahat matës do t’i japë fund abuzimeve dhe secili do të paguajë për atë që harxhon”. Balla kërkoi që menjëherë pas përfundimit të punimeve të ujësjellësit, të ndërhyhet për rrugën e cila është dëmtuar për shkak të kësaj pune.“Më këtë investim kjo zonë merr pamjen që i takon denjësisht, si një nga lagjet më të vjetra të Elbasanit”, deklaroi Balla.