Aksi rrugor Pogradec-Volorekë është në përfundim të rehabilitimit të plotë dhe nga sot do të jetë i paaksesueshëm për automjetet, pasi po bëhet hedhja e shtresës së fundit asfaltike (tapetit). Bashkia Pogradec, njofton se nga sot qarkullimi në këtë aks, devijohet në rrugën dytësore. “Duke iu kërkuar mirëkuptimin tuaj dhe ndjesë për këtë devijim të qarkullimit, puna do vijojë me shpejtësi nga ana e firmës zbatuese për të bërë të mundur shtrimin e rrugës sa më shpejt”- bën të ditur bashkia Pogradec.
Rruga Pogradec – Volorekë po rikonstruktohet në kuadër të programit “Rrugët lidhëse rajonale” që financohet nga qeveria shqiptare dhe Banka Botërore. Rehabilitimi i këtij aksi rrugor që shkon deri në pikën turistike të Drilonit, ose siç njihet ndryshe Volorekë, ndodhet 4 kilometra nga qyteti i Pogradecit, në skajin jugor të qytetit.
Aksi Pogradec – Volorekë, është një ndër rrugët turistike më panoramike të vendit dhe zbatimi i këtij investimi pritet të ketë një impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e turizmit, dhe në lehtësimin e qarkullimit të automjeteve dhe vizitorëve përgjatë rrugës.