Një resort në Spanjë ka lancuar një aplikacion për të prenotuar hapësirën në plazh që do të garantonte sigurinë e nevojshme në rërë. Në qytetin e Benidormit, shumë popullor veçanërisht mes turistëve britanikë, dy plazhe të njohura janë ndarë në hapësira të caktuara, secila prej katër metrash katror, që plazhistët mund ti rezervojnë përmes një aplikacioni, për të evituar kështu shpërthime të reja të koronavirusit. Por sistemi ende nuk është vënë tërësisht në funksionim për shkak të mungesës së vizitorëve në këtë qytet me 67 mijë banorë që në 2019, numëronte 16 milionë vizitorë në natë, në hotelet e tij.

“Ne kemi ardhur të kalojmë disa ditë dhe gjithçka më duket shumë mirë. Unë mendoj se ideja e rezervimit është shumë e mirë sepse të gjithë kemi smartfonë dhe mund të zgjedhim të pushojmë të sigurt.”

Për momentin, vetëm pak plazhistë shpalosin peshqirët e plazhit dhe rregullojnë shezlongët në plazhet që janë mësuar të presin deri në 15 mijë njerëz. Rojat e plazhit, të ulur në vendqëndrimet e tyre, përveç detyrave normale, duhet të monitorojnë edhe respektimin e distancës fizike por edhe dezinfektimin e tualeteve dhe pikave të ndihmës së shpejtë. Autoritetet kanë angazhuar e po trajnojnë edhe punonjës shtesë për të garantuar sigurinë e pushuesve.

Shumë resorte kanë hartuar strategji për të evituar mbipopullimin e plazheve 8 mijë kilometra të gjata të Spanjës, një strehë për miliona turistë nga Spanja dhe përtej saj. Duke filluar nga aksesi i kontrolluar me sensorë, që ndizen kur arrihet kapaciteti i plotë, e deri tek pjesët e ndara për grupe e ndalimi i lojërave që kërkojnë shumë hapësirë dhe përfshijnë shumë njerëz. Përveç tyre është edhe një vend pune i ri, ai i dezinfektuesit të shezlongëve dhe çadrave.