Austria ka lëshuar paralajmërime për udhëtimin e banorëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor që janë jashtë Bashkimit Evropian, për shkak të rritjes së infeksioneve me koronavirus në këto vende, sipas ministrit të Jashtëm Alexander Schallenberg të mërkurën. Masa e Austrisë, e cila ka lidhje të ngushta me rajonin, është një goditje e veçantë për Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat BE të martën i shtoi në “listën e vendeve të sigurta“, nga 1 korriku.

Ministria e Jashtme tha se udhëtarëve nga ato vende do u kërkohet të izolohen për 14 ditë ose të tregojnë një test koronavirusi negativ. Ky rregull vlen edhe për Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ne po reagojmë në bazë të rrethanave, jo vetëm situatës në ato vende, por edhe faktit që ne shohim, për shembull në vendet tona fqinje Kroaci dhe Slloveni, një rritje në grupimet e njerëzve që kthehen nga udhëtimi në Ballkanin Perëndimor”, tha Schallenberg në një konferencë për shtyp.

“Një grupim i tillë ishte vërejtur edhe në Austri”, tha ai. Infeksionet janë rritur ndjeshëm gjatë muajit të kaluar në Ballkanin Perëndimor, megjithëse rajoni në përgjithësi ka pasur norma më të ulëta se shumica e Evropës perëndimore. Ndërkohë, Shqipëria nuk është përfshirë në listën e vendeve për të cilat hapen kufijtë e jashtëm të Bashkimit Europian prej 1 korrikut.