Këshilli Politik do të mblidhet nesër në orën 11:00 për të diskutuar edhe për hapjen e listave dhe koalicionet. Pas ftesës së Damian Gjiknurit, opozita jashtë parlamentit ka pranuar që të bashkohet në tryezë.
Kërkesa e Damian Gjiknurit
Ju vë në dijeni se paketa e dytë e nismave ligjore të dala si produkt i tryezës së Këshillit Politik u depozitua sot në Kuvend me firmat e deputetëve të mazhorancës. Kuvendi tashmë fillon procedurat parlamentare për shqyrtimin e amendamenteve të dakordësuara në Këshillin Politik për: 1) Kodin e Procedurës Penale; 2) Kodin Penal; 3) Ligjin për Policinë e Shtetit; 4) Ligjin për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve; 5) Ligjin për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve; 6) Ligjin për Funksionimin e Prokurorisë dhe 7) Ligjin për Partitë Politike.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin në përmbylljen e kësaj pakete të dytë amendamentesh, shpreh besimin se masat e marra adresojnë jo vetëm një pjesë të konsiderueshme të rekomandimeve te OSBE/ODIHR por edhe shqetësimet e shprehura nga opozita jashtëparlamentare.
Duke qenë se tanimë mbetet për tu përmbyllur edhe paketa e tretë që ka të bëjë me ligjin e ri zgjedhor i cili do të hyjë në fuqi pas dy proceseve të ardhshme zgjedhore e që sanksionon edhe depolitizimin e administratës zgjedhore sipas marrëveshjes së 5 Qershorit, propozoj:
Mbledhjen e grupit negociator të Këshillit Politik ditën e martë (28 Korrik), ora 11:00 në sallën Ovale të Pallatit të Kongreseve, me rend dite:
a) Prezantim nga ekspertët i produktit të deritanishëm për ligjin e ri zgjedhor që hyn në fuqi në 2023 dhe hapat që duhet të ndjekim për miratimin përfundimtar të tij.
b) Kthimi i përgjigjeve nga ekspertët për pyetjet e bëra në mbledhjet e kaluara nëse amendamentet kushtetuese që janë tanimë në procedurë parlamentare lejojnë apo pengojnë hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë siç propozon opozita jashtëparlamentare. Gjithashtu, nëse amendamentet kushtetuese lejojnë apo pengojnë koalicionet.
Përgjigja PD-LSI-së
Mirëpresim vazhdimin e punës me mbledhjen e Këshillit Politik nesër në orën 11:00. Mbledhja e shkuar u mbyll me një përgjigje refuzuese nga ana e përfaqësuesit të Partisë Socialiste për të diskutuar mbi propozimin për konsensus të Opozitës së Bashkuar, për hapjen 100 % të listave, me kushtin që të mos preken rregullat aktuale për koalicionet parazgjedhore dhe ndarjen e mandateve.
Në përputhje me Marrëveshjen politike të 14 Janarit, kjo çështje duhet të trajtohet me gjithëpërfshirje dhe transparencë në Këshillin Politik, cka deri më sot nuk ka ndodhur. Kjo sepse Partia Socialiste ka ecur me logjikën e “faktit të kryer” dhe me paraqitjen e njëanshme të ndryshimeve kushtetutese, të cilat bien ndesh me marrëveshjen e 14 Janarit, minojnë dakordësinë e 5 Qershorit, janë në kundërshtim me Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias dhe zhbëjnë ligjin e miratuar më 23 Korrik nga Kuvendi në përputhje me marrëveshjen e 5 Qershorit.
Marrëveshja politike e 14 Janarit detyron palët që: Pika 2, paragrafi 3: “Për çështjet të cilat nuk gjendet dakordësi do të kërkohet mendim dhe asistencë nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme”. Në këtë kuadër, Opozita e Bashkuar i qëndron kërkesës së parashtruar në mbledhjen e kaluar që në trajtimin e kësaj çështje të përfshihet ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR. Për këtë arsye, ju njoftojmë se për Opozitën e Bashkuar trajtimi i kësaj çështje dhe heqja dorë nga aktet e njëanshme, që shkelin marrëveshjen e 14 Janarit dhe atë të 5 Qershorit, dhe minojnë dakordësinë e arritur, duhet të mbetet çështja e parë për diskutim dhe vendimmarrje nga Këshilli Politik.
Siç ju informuam në mbledhjen e shkuar të Këshillit Politik, është e papranueshme loja me gjoja pyetje të drejtuar nga pala juaj, lidhur me propozimin tuaj të njëanshëm kushtetutes, drejtuar ekspertëve të Qeverisë, të cilët siç është botërisht e njohur, janë edhe draftuesit dhe mbështetësit e ndryshimeve tuaja të njëanshme. Në këto kushte, Opozita e Bashkuar ripërsërim qëndrimin se në përputhje me marrëveshjen politike të 14 Janarit dhe dakordësinë e 5 Qershorit, palët janë të detyruara të heqin dorë nga aktet e njëanshme për ndryshimin e Kushtetutës dhe të kërkojnë mendimin dhe asistencën nga ekspertiza ndërkombëtare e OSBE-ODIHR, me qëllim gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.
Përsa më lart, konfirmojmë pjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme,
Oerd Bylykbashi
Petrit Vasili