Hungaria ka vendosur masa të reja kufizuese që prekin të huajt nga disa shtete, përfshirë Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Ato janë kaluar në listën e kuqe të vendeve me rrezikshmëri të lartë nga përhapja e virusit. Duke filluar nga dita e mërkurë, hungarezët që kthehen nga vendet e kësaj liste dhe asaj të verdhë do të jenë të detyruar të bëjnë kontrolle dhe të qëndrojnë në karantinë për dy javë, edhe nëse nuk janë të infektuar. I vetmi përjashtim do të bëhet për ata që kanë dalë dy herë negativë në testin për koronavirus gjatë pesë ditëve të kaluara.
Ndërsa shtetasit e vendeve të listës së kuqe nuk do të lejohen fare të hyjnë në territorin hungarez thotë AP. Serbia, Bullgaria, Rumania, Portugalia, Rusia, Suedia dhe Britania e Madhe janë vendosur në listën e verdhë, ndërsa udhëtimi nga Kroacia, që është destinacion i popullarizuar për pushime për hungarezët, për momentin, po zhvillohet pa kufizime.
Lista do të përditësohet rregullisht. Nga këto masa përjashtohen personat që udhëtojnë tranzit, ata që transportojnë mallra dhe ata që udhëtojnë për qëllime biznesi, të cilët për çdo rast do t’u nënshtrohen kontrolleve shëndetësore. Hungaria regjistron 595 vde kje nga koronavirusi dhe 4,234 të infektuar.